Drejtori sportiv i FC Drita, Valon Zymberi, ishte në qendër të kritikave në momentin kur solli në skuadër sulmuesin Arb Manaj, me shumë zëra që vinin në dyshim këtë transferim. Por sot, skeptikët janë heshtur – dhe rezultatet flasin vetë.
Pavarësisht se në fillim Manaj nuk kishte të drejtë loje për shkak të dokumentacionit, ai iu bashkua ekipit nën drejtimin e trajnerit Zekrija Ramadani, duke u kthyer në një nga shtyllat kryesore të suksesit të Dritës. Ai kontribuoi ndjeshëm në fitimin e titullit kampion në Superligën e Kosovës dhe tani po shkëlqen në arenën evropiane.
Me tre gola të shënuar në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, Manaj jo vetëm që është golashënuesi më i mirë i skuadrës në Evropë, por një nga më të dalluarit në ligë.
Ky sukses është edhe një konfirmim për vizionin dhe vendosmërinë e drejtorit sportiv Zymberi, i cili, përkundër kritikave të shumta, vazhdoi të besojë në Arb Manajn. Sot, kjo zgjedhje shihet si një nga lëvizjet më të goditura të merkatos në futbollin kosovar./Radio Star/