Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në profilin e saj në Facebook ka postuar një fotografi në kopertinë ku shihet kalaja e Artanës (Novobërdës).
Një person ka komentuar “kështjellë e bukur e trashëgimisë serbe në Kosovë”.
Ambasada i është përgjigjur duke thënë: “Ndonëse është e vërtetë se kalaja në Novobërdë është ndërtuar gjatë sundimit të Stefan Uroš II Milutin, mbretit të Serbisë, dhe gjatë kohës së Despotatit të Serbisë, ajo tani është një pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës. Ky vend qëndron si një dëshmi e historisë komplekse dhe magjepsëse të rajonit, duke e bërë atë një nga monumentet historike më interesante të Kosovës sot”.
Komentuesit serbë nuk janë ndalur me kaq. Ata kanë vazhduar duke komentuar se nuk ka kulturë të Kosovës.
Ambasada sërish ka kthyer përgjigje: “O të dashur! E keni lexuar jo pak herë përgjigjen tonë për shtetësinë e Kosovës, apo jo? Kosova padyshim ka një trashëgimi të pasur dhe të larmishme kulturore, të formuar nga ndikimet serbo-ortodokse, osmane dhe shumë të tjera. Ky diversitet është diçka për të cilën Kosova duhet të ndihet jashtëzakonisht krenare, pasi pasqyron historinë e gjallë dhe të shumëanshme të rajonit”.