Viteve të fundit, rrallëherë deklaratat e kryetarit të Preshevës kanë qenë në vijë me politikat e Albin Kurtit.
Megjithatë, Shqipërim Arifi ka falënderuar kryeministrin Kurti në qeverisjen e të cilit, për vitin 2024 janë ndarë tre milionë euro për Luginën e Preshevës.
Por nga pesëmbëdhjetë rreshta të dedikuar Qeverisë së Kosovës, njëmbëdhjetë të tjerët Arifi ka prapë kritika dhe akuza, madje edhe për korrupsion.
Ai akuzon politikanët që përfaqësojnë Luginën për zhvatje të fondeve të vitit të kaluar.
“E falënderojmë kryeministrin e Kosovës për vendosjen e vijës buxhetore 3 milion € për Preshevën për vitet në vijim…Ndërkohë, ne ende presim që qeveria të dalë me një qëndrim në lidhje me 2 milion € e vitit të kaluar, të zhvatura nga doraputhësit e PVD-së, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafi”, kishte shkruar Arifi.
Ragmi Mustafi, i cili përmendet në akuzat e kryetarit të Preshevës, kritikat i cilëson të pabaza dhe tendencioze.
“Kritika vazhdimisht do të ketë, por ato një pjesë e mirë e tyre ka qenë për të pamundësuar mundësinë e buxhetimit të ardhshëm, pra për të pamundësuar që Qeveria e Republikës së Kosovës të përkujdesej për shqiptarët e atjeshëm”, ka deklaruar Mustafi.
Mustafi thotë se edhe këtë vit mbi 255 mijë euro nga ky buxhet do të shkojnë për sigurimin e librave shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës./RTV Dukagjini/