Kanë kaluar mbi tre muaj që kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës ndaj produkteve të cilat vijnë nga Serbia por edhe nga Bosnje e Hercegovina.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të taksës, për t’i dhënë mundësi dialogut, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shfaqur vendosmërinë se masa ndaj produkteve serbe nuk do të revokohet.
Ligjëruesi i Ekonomisë Publike dhe Menaxhmentit Strategjik, Armend Muja ka folur për klankosova.tv për efektet e taksës në ekonominë serbe.
”Taksa ka bllokuar efektshëm importet nga Serbia. Vitin e kaluar kishim rreth 60 milionë euro më pak import krahasuar me vitin 2017”.
”Humbjet në eksporte nga Serbia janë rreth 37 milionë euro në muaj. Megjithatë, nuk duhet të zmadhojmë efektin e taksës në ekonominë serbe. Kosova paraqet vetëm 3% të eksporteve të Serbisë”.
Sa i përket këtyre shifrave, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për klankosova.tv se pas vendimit të taksës ndaj mallrave serbe nuk ka pasur ndalesa por probleme në eksport.
”Eksporti nuk ka pasur ndalesa por probleme”, është shprehur ai.
Më tej, ai ka bërë të ditur edhe shifrat e arritura nga importi i Serbisë duke pohuar se deri tani ka 140 milionë euro më pak import nga Serbia, njofton Klan Kosova.
”Nga 21 nëntori deri tani kemi import nga Serbia 770 mijë euro. Derisa vlerësimet janë se 140 milionë euro me pak import nga Serbia”.
Por edhe pas polemikave të krijuara tash e disa muaj në lidhje me çështjen e taksës, ligjëruesi i Ekonomisë Publike Armend Muja, vlerëson se kjo do të shkaktojë edhe rritje të çmimeve, njofton Klan Kosova.
”Taksa pritet të shkaktojë inflacion (rritje të çmimeve). Çmimet e grurit dhe miellit janë ndikuar më së shumti”, thotë ai.
Muja pohon se pret që në vazhdim të ketë impat të shtuar.
”Kjo meqë Kosova mbështetet tek Serbia dhe Rusia për të mbuluar mungesën e grurit”, thotë ai.
Veç kësaj vendimi për taksë ndaj produkteve serbe, Muja thotë se do të ndikojë fuqishëm edhe në rritjen e çmimit të produkteve vendore.
”Taksa do të shkaktojë edhe shtrenjtim të produkteve vendore. Kjo sepse edhe produktet që ne i quajmë vendore përmbajnë lëndë të parë të importuar nga Serbia”.
”Taksa nëse vendoset ajo duhet të zbatohet vetëm në produkte finale e jo në të ndërmjetme (lënde të parë)”, pohon ai, njofton Klan Kosova.
Meqë, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj dha qëndrimin e tij që taksa ndaj Serbisë nuk do të pezullohet të paktën deri sa të marr garanci që Serbia ofron njohjen ndaj shtetit të Kosovës, një gjë e tillë flitet se duhet të ndodhë për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut.
”Taksa duhet të pezullohet për t’i dhënë rrugë dialogut dhe partneritetit. Ne të njëjtën kohë Kosova duhet të hap diskutime për eliminim të barrierave jo-tarifore nga Serbia (njohja e diplomave, vulave dhe dokumenteve) dhe të insistoj në liberalizim të tregut të shërbimeve në CEFTA”, thotë Armend Muja, njofton Klan Kosova.
Ditë më parë në Info Magazine të Klan Kosovës për taksën ndaj produkteve serbe foli edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i cili deklaroi se Qeveria e Kosovës duhet me vëmendje të ndjek kërkesat e aleatëve të saj.
Shala po ashtu tha se njëkohësisht ky vendim ashtu siç u dha duhet edhe të pezullohet në koordinim me partnerët e tjerë të koalicionit, njofton Klan Kosova.