Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se tetë policët e lënduar në vetaksidentin e sotëm në Zveçan, pesë janë liruar në shtëpi kurse tre gjenden në Klinikën Emergjente në QKUK.
Vitia tha se i ka vizituar të tre policët që gjenden në QKUK, ku tha se gjendja e tyre është stabile dhe për momentin është jashtë rrezikut për jetë.
“Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të tranferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë”.
“I gjithë stafi në spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë dhe Klinikën Emergjente në QKUK janë mobilizuar duke reaguar shpejt dhe në mënyrë profesionale”, shkroi Vitia.
Për gjendjen e policëve të lënduar ka folur edhe drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, e cila tha se ata kryesisht kanë fraktura të ekstremiteteve dhe plagë të jashtme sipërfaqësore.