Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te seanca konstituive, por LVV-ja dhe LDK-ja akoma nuk i kanë tejkaluar mospajtimet rreth postit të presidentit. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngulur këmbë në kërkesën për balancimin e pozitave, respektivisht për sigurimin e pozitës së presidentit, LVV-ja nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj se ky post në asnjë mënyrë s’duhet të bëhet pjesë e marrëveshjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit. Përkundrazi, zyrtarët e këtij subjekti po kërkojnë balancimin e pushteteve, rrjedhimisht marrjen e pozitës së shefit të shtetit.
Vetëm kësisoj, sipas tyre, do të bëhej baraspeshimi i pozitave me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve do ta mbante postin e kryeministrit. Pavarësisht insistimit për ta siguruar postin e presidentit, nga LDK-ja nuk kanë treguar emrin e personit që mëton të vijë në këtë pozitë më 2021-n. Sipas tyre, është e drejtë ekskluzive e LDK-së që të vendosë se kë do ta prezantojë për president tek atëherë kur do të vijë koha e zgjedhjes së tij.
Në anën tjetër, nga LVV-ja kanë përsëritur disa herë se nuk do të lejojnë që pozita e presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Pavarësisht kësaj, nga LDK-ja janë shprehur optimistë se Vetëvendosja do të lëvizë nga pozicioni i saj. Ndërkohë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje finale mes dy palëve, pas tri ditësh (të enjten) pritet të mbahet seanca për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, shkruan tutje Zëri.
LDK-ja shpreson në evoluimin e LVV-së
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muharrem Sfarqa, ka thënë se Vetëvendosja si partia fituese e zgjedhjeve e ka për detyrë të angazhohet për konkretizimin e marrëveshjes para seancës konstituive. “Është në dorën e tyre që të gjitha gjërat të shkojnë rrugës së mbarë para mbledhjes konstituive të Kuvendit. Të tjerat besoj që zgjidhen me kompromis. Sikurse vetë jeta, edhe politika është kompromis dhe besoj se pritjet e qytetarëve janë që LVV-ja të sillet tamam me përgjegjësi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Gjersa ka folur për pozicionin e LVV-së që presidenti të mos bëhet pjesë e marrëveshjes, Sfarqa është shprehur optimist se partia e drejtuar nga Albin Kurti do të lëvizë nga këto qëndrime. “Në politikë të gjitha gjërat janë evolutive dhe besoj që edhe LVV-ja do të evoluojë nga qëndrimet inerte”, ka theksuar ai.
Teksa ka kërkuar që të ketë baraspeshë të pozitave, Sfarqa ka thënë se po të dilte LDK-ja subjekti i parë më 6 tetor çështja e pozitave do të zgjidhej shumë më lehtë. “Ne kemi thënë me shumë përgjegjësi dhe besoj që nuk duhet të ketë vend për keqkuptime, sepse edhe po të ishte LDK-ja partia fituese, për hir të një baraspeshe dhe një balancimi të pushteteve, në asnjë mënyrë LDK-ja nuk do t’i kishte këto dy pozita, edhe kryeministrin, edhe presidentin”, është shprehur ai.
Sidoqoftë, Sfarqa nuk ka dhënë ndonjë emër rreth personave që synojnë të vijnë në postin e presidentit. “LDK-ja ka mjaft persona të denjë dhe me besueshmëri, me tituj të lartë shkencorë dhe me përvojë të jashtëzakonshme politike. Besoj që është e drejtë ekskluzive e LDK-së se kë do ta prezantojë përmes organeve të saj për president të ardhshëm kur të vijë koha.
LVV-ja nuk lëviz nga pozicioni rreth presidentit
Kërkesën e LDK-së që posti i presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes për bërjen e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar disa herë të papranueshme. Zyrtarë të këtij subjekti në vazhdimësi kanë thënë se rreth kësaj pozite duhet të diskutohet vetëm atëherë kur të vijë koha e zgjedhjes së shefit të ri të shtetit. Ndaj kërkesën e LDK-së për ta marrë këtë post nga LVV-ja e kanë cilësuar një kërkesë të atillë, e cila nuk ka fare mbulesë. “Momentalisht duket se negociatat kanë ngecur për arsye se në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë, por jam shumë optimist se edhe kjo do të tejkalohet me maturi dhe vendi do të bëhet shumë shpejt me institucionet, që i ka votuar dhe që i ka kërkuar”, ka deklaruar nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.
Por pa marrë parasysh këtë pozicion të LVV-së, nga LDK-ja kanë insistuar se të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe atë të presidentit, duhet të zgjidhen para arritjes së marrëveshjes. “Mendimi i të gjithëve dhe disponimi është që tani të definohen të gjitha përgjegjësitë që i kemi me Vetëvendosjen në koalicion, tani e jo më vonë, sepse çdo gjë që lihet më vonë për diskutim rrezikon koalicionin në punën e tij të mëtejme”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.
Duke u nisur nga këto, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka bërë presion për formimin e qeverisë së re. Gjatë javës së kaluar në Kosovë erdhën dy deputetët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, të cilët u bënë thirrje LVV-së dhe LDK-së t’i lënë anash detajet teknike dhe ta bëjnë marrëveshjen finale. Me këtë rast ata thanë se tashmë nuk është koha adekuate të bisedohet rreth postit të presidenti, por drejt formimit të qeverisë së ardhshme, shkruan Zëri.
Pavarësisht kësaj, nga LDK-ja konsiderojnë se nuk ka asgjë kontestuese në këtë drejtim. Kërkesa për marrjen e postit të presidentit sipas tyre është krejtësisht normale. “E kuptoj edhe përpjekjen e faktorit ndërkombëtar për të krijuar kushte dhe mundësi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, por unë nuk besoj që ka diçka kontestuese këtu, për shkak se është normale që të gjitha vendimet ose të gjitha zgjedhjet që bëhen përmes Kuvendit ose përmes Qeverisë të jenë pjesë e bisedimeve dhe e marrëveshjes mes koalicionit të mundshëm të LVV-së dhe të LDK-së”, ka potencuar Muharrem Sfarqa.
Sidoqoftë, gjatë javës që shkoi, pos deputetëve të Bundestagut gjerman, formim sa më të shpejtë të institucioneve kanë kërkuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë së Madhe në Prishtinë./Zëri