Tre familje në fshatin Ujzë të Gjakovës mbrëmjen e së mërkurës shkuan në një dasmë, por kur u kthyen shtëpitë nuk i gjetën ashtu siç i kishin lënë. Në to kishin hyrë hajnat e u kishin vjedhur stoli ari e para te gatshme.
Klan Kosova ka kontaktuar me familjet e dëmtuara, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin para kamerës, prapa saj kanë thënë që nuk dyshojnë tek askush dhe se rastin ia lënë në dorë policisë.
E nga policia rajonale e Gjakovës e konfirmuan rastin dhe bënë të ditur se janë vjedhur rreth 17 mijë euro, 4360 franga zvicerane dhe 200 dollarë amerikanë, si dhe ari në vlerë 4500 euro dhe bizhuteri në vlerë 500 euro.
Ndërsa banorët e fshatit tregojnë se kohëve të fundit kanë filluar të shpeshtohen rastet e vjedhjeve dhe se nuk ndihen të sigurt. Sipas raportit 24 orësh të Policisë gjatë këtij intervali kohorë janë raportuar nëntë raste të vjedhjes ne të gjithë vendin.