Në rrjedhën e manifestimit mbarëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit 2021” është mbajtur Tryeza letrare me temë “Opusi Letrar i Beqir Musliut”, vepra e të cilit u vlerësua voluminoze në sasi dhe e veçantë në cilësi, si ajo në dramë e publicistikë, njashtu edhe në prozë e poezi.
Pjesëmarrës të shumtë në këtë tryezë kanë ndriçuar edhe më tej opusin shumëdimensional, kulturor e letrar të poetit e prozatorit, publicistit e dramaturgut të shquar Beqir Musliut, të zhvilluar në etapa të ndryshme, kryesisht gjatë çerekut të fundit të shekullit 20-të.
Drejtoresha e Kulturës Deniza Limani, në fjalën hapëse të kësaj tryeze, tha se: “ky veprim i DKRS-së në Gjilan që këtë vit është marrë me premierën e shfaqjes, sipas veprës dramatike të Beqir Musliut, të inskenuar nga Teatri i Qytetit të Gjilanit, njashtu edhe kjo tryezë, janë nisma të mira dhe të mbara, me të cilat mëtohet të vazhdohet si trend edhe vitin e ardhshëm, me një tjetër organizim të këtij lloji, edhe më të madh, në dedikim e përkujtim të figurës dhe veprës së Beqir Musliut.”
Një përshkrim të thuktë rreth interkomunikimit të veprës së autorit me botën e letrave në përgjithësi, e bëri publicisti Emin Azemi nga Shkupi, i cili poetin e prozatorin gjilanas e rangoi “ndër emrat e rrallë në letrat shqipe, i cili la trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, të projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar.”
Ai më tej shtoi se Beqir Musliu “nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjellë një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resementazimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur simbolikash poetike krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan, ashtu edhe për të sotmen që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera.”
Studiuesi e kritiku Mehmetali Rexhepi, në fjalën e tij vuri theksin tek ‘Qasja kritike e Ibrahim Rugovës për poetikën e Beqir Musliut’, sipas të cilit, “kritiku Ibrahim Rugova, me urtësinë e parametrave shkencore, zbërtheu, analizoi, sintetizoi, dhe konstatoi me një rreptësi të paqëndrueshme përbërësit tipikë të poetikës, poetikën e abstraksionit, kategoritë e kohës dhe të hapësirës në figuracionin metaforik, estetikën dhe lajtmotivin e mbështjellë në boshtin e togfjalëshit “Bukuria e Zezë” – E bukura dhe e zeza si dy antipode përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, por të ngjizura me njëra-tjetrën…”.
Për prozën e Beqir Musliut foli kritiku Nexhat Rexha, i cili vec tjerash theksoi se “tek proza e autorit fuqia e metaforës forcon ndërdijen e lexuesit, duke vijuar me konstatimin se “vepra e Beqir Musliut çdo herë që lexohet e rilexohet, i ofron lexuesit njohjet paraprijëse të universit, postulat në veprën e tij letrare në tri gjinitë: prozë, poezi e dramë. Ajo funksionalizon klasiken artistike me brumosje estetike, duke i dhënë ngjyrimet e kënaqshme tërësisë në veprën e tij, si begatim e korrespodim në proceset e poetikës artistike shqiptare.”
E kritiku i shquar Prof. Dr. Antonë Nikë Berisha, në vëzhgimin e tij u fokusua tek një gjini specifike letrare – drama e Beqir Musliut, duke e cilësuar atë si përpjekjen dhe tendencë të suksesshme për ‘kthesë
në letërsinë tonë në përgjithësi, krahas autorëve tjerë në prozë e poezi, si Anton Pashku me veprat “Oh” e “Gof”, Azem Shkreli, Mirko Gashi, Musa Ramadani, Sabri Hamiti etj.
“I nxitur nga tekstet e dramës së absurdit në vecanti nga drama e Beketit, “Duke pritur Godonë”, Beqir Musliu e krijoi ato që i quajti, libri – teatër, (“Shtrigani i Gjel Hanit”), dhe teatër – libër (“Rrakullima”).
Në këto dy vëllime me drama autori përdori të thuash të njëjtën qasje, të njëjtin koncept krijues, të njëjtën strategji të shqiptimit e të shtjellimit, të njëjtën gjuhë, po dhe personazhe që janë të njëjtë ose të ngjashëm, jo vetëm si emra”, vijoi ai duke përfunduar me konstatimin se “në këto dy vepra gjithçka përngjet në një lojë të projektuar, të përfytyruar ose të ëndërruar!”
E nikoqiri i kësaj ngjarje Sabit Rrustemi lexoi një paragraf nga vëzhgimi kritik i Ibrahim Kadriut, ndërsa Tribuna Letrare me temë “Opusi Letrar i Beqir Musliut” është përcjellë me prezantime artistike në hyrje e mbyllje nga Helenë Hajdari e Xhezide Selimi, të cilat deklamuan pjesë nga opusi i autorit dhe krijimtaria e të tjerëve për opusin e autorit.