Afrimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, po shihet si kërcënim për të ardhmen e Evropës, ndërsa shqetësimet po shtohen se një marrëveshje për Ukrainën mund të përfshijë edhe ndryshimin e rendit të sigurisë në të gjithë kontinentin.
Trump dhe Putin ndajnë pikëpamje të ngjashme për Evropën dhe besojnë se fuqitë e mëdha duhet të kenë kontroll mbi zonat që i konsiderojnë si sferat e tyre të ndikimit, sipas një analize të publikuar nga “The Guardian”.
Putini kërkon që NATO t’i tërheqë trupat dhe bazat ushtarake në kufijtë e vitit 1997, gjë që do t’i linte 16 vende anëtare pa mbështetjen e jashtme ushtarake.
Ai gjithashtu kërkon që Britania dhe Franca të përjashtojnë përdorimin e armëve bërthamore për mbrojtjen e shteteve të tjera evropiane, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, Trump ka lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje të gjerë me Rusinë, e cila nuk do të kufizohej vetëm te Ukraina, por do të përfshinte edhe të ardhmen e Evropës.
Analiza ngre shqetësimin edhe për rritjen e ndikimit të partive të ekstremit të djathtë në Evropë.
Në Francë, Marine Le Pen është zotuar se do ta ndërpresë ndihmën financiare për Ukrainën, ndërsa në Gjermani, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, ka deklaruar se partia e saj do të ndalte ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Kievin nëse do të vinte në pushtet.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, paralajmëroi se zgjedhjet në Francë dhe Gjermani mund ta ndryshojnë rrënjësisht drejtimin politik të Evropës, duke theksuar se pakënaqësitë ekonomike mund t’i bëjnë qytetarët më të prekshëm ndaj premtimeve të thjeshta politike, transmeton Klankosova.tv










