Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Iranit, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda gjashtë orëve dhe të zgjasë 24 orë, duke i dhënë fund të ashtuquajturës “Lufta 12-ditore”. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “pas 24 orësh pritet që paqja të shpallet zyrtarisht”.
“Është arritur një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare mes Izraelit dhe Iranit për një armëpushim të plotë dhe të gjithanshëm, i cili do të hyjë në fuqi për rreth 6 orë, pasi të dyja palët të kenë përmbyllur misionet e tyre të fundit ushtarake në terren. Armëpushimi do të zgjasë 12 orë, dhe pas kësaj periudhe, lufta do të konsiderohet e përfunduar” ka shkruar Trump në rrjetin social Truth.
“Pas përfundimit të 12 orëve, Izraeli do të nisë gjithashtu fazën e vet të armëpushimit. Kur të kenë kaluar 24 orë nga momenti i fillimit, lufta 12-ditore do të shpallet zyrtarisht e përfunduar, dhe kjo do të përshëndetet nga bashkësia ndërkombëtare. Gjatë gjithë periudhës së armëpushimit, secila palë do të respektojë paqen dhe do të përmbahet nga çdo akt provokues. Nëse gjithçka ecën siç është planifikuar – dhe unë besoj se do të ecë – dua të përgëzoj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndresën, guximin dhe mençurinë që treguan në përfundimin e një konflikti që mund të kishte zgjatur me vite dhe të kishte shkatërruar gjithë Lindjen e Mesme por nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë kurrë”, ka sqaruar presidenti amerikan.
Izraeli dhe Irani ende nuk kanë reaguar ndaj postimit të tij, dhe nuk ka asnjë garanci që luftimet do të përfundojnë apo që armëpushimi do të mbetet në fuqi, shkruan BBC.
Presidenti nuk ka ndonjë paraqitje publike të planifikuar për sonte, dhe mund të mos flasë para kamerave. Por ndërsa nesër niset për në Holandë për samitin e NATO-s, ai mund ta përdorë këtë si dëshmi se strategjia e tij po funksionon.
Ndërkohë, në një postim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se fillimisht Irani do të ndalë veprimet luftarake për 12 orë, më pas Izraeli do të ndjekë të njëjtin hap. Pas 24 orësh pritet që paqja të shpallet zyrtarisht.
“Trump përgëzoi të dy vendet për guximin dhe urtësinë për të shmangur një konflikt të zgjatur që, sipas tij, mund të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme” theksohet në njoftim.