Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi një paralajmërim të qartë Izraelit të martën, duke i kërkuar të mos bombardojë Iranin duke e quajtur këtë një “shkelje të rëndë” të një marrëveshjeje armëpushimi.
“IZRAEL, MOS I HIDHNI ATO BOMBA. NËSE E BËNI, ËSHTË NJË SHKELJE E MADHE. SJELLNI PILOTËT TUAJ NË SHTËPI, TANI!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.
Ky njoftim erdhi pasi Ministri izrael i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi forcat e tij të sulmonin Teheranin, duke akuzuar Iranin për shkelje të armëpushimit që Trump kishte shpallur më parë, raporton Anadoly.
Që nga 13 qershori, Izraeli ka kryer sulme ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke argumentuar se Teherani ishte afër paisjes me armë bërthamore.
Ndërkaq, Irani ka mohuar ekzistencën e një programi të tillë, u hakmor me sulme me raketa.
Në një zhvillim të mëvonshëm, SHBA-ja sulmoi tri objekte kryesore bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Sulmi hakmarrës i Iranit në Bazën Ajrore Al Udeid të ushtrisë amerikane në Katar ndodhi të hënën në mbrëmje, por nuk pati dëme serioze apo viktima, dhe marrëveshja pasuese i dha fund “LUFTËS 12-DITORE”.
Armëpushimi u njoftua fillimisht nga Trump, i cili tha se do të përfshinte një ndalim gradual të operacioneve, me Iranin që do të fillonte armëpushimin i pari dhe Izraelin që do të vazhdonte 12 orë më vonë.
Presidenti amerikan tha më vonë se armëpushimi kishte hyrë në fuqi, duke i paralajmëruar të dy kombet të mos e shkelnin atë: “ARMPUSHIMI ËSHTË TANI NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI ATË!”