Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për t’i vendosur sanksione Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke e akuzuar atë për “veprime jolegjitime dhe të pabaza me shënjestër Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin”.
Me këtë masë vendosen kufizime financiare dhe rreth vizave ndaj individëve dhe familjeve të tyre që asistojnë në hetimin e qytetarëve amerikanë ose aleatëve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, raporton televizioni BBC.
Trumpi e nënshkroi urdhrin ekzekutiv në kohën kur Uashingtonin po e vizitonte kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Nëntorin e vitit të kaluar, GjNP-ja lëshoi urdhërarrest kundër Netanyahut nën dyshimin për krime lufte në Gaza, që mohohet nga Izraeli. GjNP-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe për një komandant të Hamasit.
Holanda, shteti ku ndodhet GjNP-ja, shprehu keqardhje për urdhrin e presidentit amerikan.
“Puna e gjykatës është thelbësore në luftën kundër pandëshkueshmërisë” – shkroi në rrjetin X ministri i Punëve të Jashtme i Holandës, Caspar Veldkamp.