Presidenti amerikan, Donald Trump, nëpërmjet një letre ka njoftuar presidentin e Serbisë për tarifa prej 35 për qind për produktet nga Serbia. Vendimi hyn në fuqi nga 1 gushti.
Letrën ai e ka publikuar edhe në rrjetin social “TruthSocial”.
Në letrën drejtuar Aleksandar Vuçiqit, Trumpi ka thënë se shtetet kanë raporte të mira tregtare, “por fatkeqësisht raportet kanë qenë larg nga reciprociteti”.
“Duke nisur nga 1 gushti 2025, ne do të vëmë tarifë prej vetëm 35 për qind në produktet serbe të dërguara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaras prej tarifave gjithësektoriale”, ka shkruar Trumpi në letër.
Trumpi po ashtu e ka kërcënuar Vuçiqin se nëse vendos t’i rrisë tarifat ndaj produkteve amerikane, atëherë produktet serbe do të përballen me tarifë shtesë prej edhe 35 për qind.
Këto tarifa ndaj Serbisë dhe shteteve të tjera ishin prezantuar në prill nga Trumpi, por zbatimi ishte shtyrë për 90 ditë.
Ndaj Kosovës, është paralajmëruar tarifë 10 për qind, të cilën e ka vendosur ndaj shumicës së shteteve.