Nën organizimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë, po mbahet tryeza e diskutimit me gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prizren. Pjesë e kësaj tryeze, përveç gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, janë edhe gjyqtarët, përfaqësues nga Gjykata e Apelit.
Qëllimi i punëtorisë është unifikimi i praktikës gjyqësore në lëminë civile dhe penale, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e profesionalizmit dhe konsistencës në vendimet gjyqësore.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, theksoi para të pranishmëve, rëndësinë e harmonizimit të praktikës gjyqësore si në lëminë civile ashtu edhe në atë penale, duke inkurajuar gjyqtarët që të shpalosin sfidat e hasura dhe të diskutojnë çështjet e ngritura.
Bazuar në agjendë, gjyqtarët e lëmisë penale po diskutojnë çështje që lidhen me problemet praktike të aspekteve procedurale dhe materiale, si dhe me unifikimin e praktikës lidhur me dënimet për rastet e ngjashme, duke analizuar edhe zbatimin e Udhëzuesit për Matjen e Dënimit.
Ndërkohë, gjyqtarët e lëmisë civile po trajtojnë tema që ndërlidhen me menaxhimin e lëndëve civile në gjykatat themelore, probleme praktike të aspekteve materiale, standardet e arsyetimit në çështjet civile dhe rolin e këtyre gjykatave në unifikimin e praktikës gjyqësore.