Turqia është shprehur thellësisht e shqetësuar me vendimin e Serbisë për ta zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, e edhe me qëllimin e Kosovës për të hapur ambasada të ndërsjella me Izraelin pas zotimit për njohje të vendit, ka thënë Ministria e Jashtme turke në dy deklarata të ndara.
“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve që t’i respektojnë rezolutat e OKB-së të adoptuara për këtë çështje, të respektojnë statusin historik dhe legal të Jerusalemit, dhe të përmbahen nga hapa që do ta bëjnë zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë edhe më të vështirë”, ka thënë ministria në një deklaratë të shkruar të postuar të shtunën mbrëma, duke kujtuar se aneksimi i Jerusalemit nga Izraeli ishte refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga OKB-ja, raporton “DailySabah”.
“Është theksuar vazhdimisht në rezoluta të ndryshme të OKB-së se çështja palestineze mund të zgjidhet vetëm me themelimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez mbi bazën e kufijve të vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, ka theksuar ajo dhe ka thënë se çdo vend që i zhvendos ambasadat në Jerusalem do të bëjë shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, transmeton Zeri.info.
Më tutje, ministria tha se qëllimi i autoriteteve të Kosovës për të hapur ambasada të ndërsjella me Izraelin është pritur me zhgënjim nga Turqia sepse ky hap shkel ligjin ndërkombëtar.
Ministria ka kujtuar se Turqia ishte një prej vendeve të para që e njohu Kosovën, dhe e mbështeti vendin për t’u njohur nga komuniteti ndërkombëtar. “Megjithatë, nuk e mbështesim këtë proces që po ndërtohet mbi dhimbjen e popullit palestinez, territori i të cilëve është i okupuar dhe po shkelet ligji”, tha ministria, duke i bërë thirrje Kosovës të respektojë ligjin dhe të shmang hapat që mund ta parandalojnë Kosovën për t’u njohur nga vendet tjera në të ardhmen.
Edhe ambasada turke në Prishtinë, përmes një reagimi të bërë në rrjetin social Facebook, thotë se Turqia ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Nga postimet në mediat sociale të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Hoti dhe ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në postimin e bërë nga ambasada Turke në Prishtinë.
Njoftim për media në lidhje me raportet mbi vendimin e Kosovës për të hapur një ambasadë në Jerusalem.
Nga postimet në mediat sociale të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministrit Hoti dhe Ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jeruzalem.
Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsidideratë nga autoritetet e Kosovës.
Turqia, një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi. Sidoqoftë, ne nuk e shohim të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.
Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një Shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen.
Reagimi i Turqisë erdhi pas presidenti amerikan, Donald Trump, të premten njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar t’i normalizojnë raportet ekonomike me Izraelin në kuadër të bisedimeve të organizuara nga SHBA-ja që përfshin zhvendosjen e ambasadës serbe në Qytetin e Shenjtë në korrikun e vitit të ardhshëm.