Turqia me shumë gjasë do të përjashtohet nga misioni i planifikuar i stabilizimit në Rripin e Gazës, i cili pritet të përbëhet nga rreth 5,000 ushtarë, pasi Izraeli ka bërë të qartë se nuk dëshiron pjesëmarrjen turke në këtë operacion.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se: “Kushti është që Izraeli të jetë i kënaqur me përbërjen kombëtare të forcës shumëkombëshe”, e cila do të ketë për detyrë të parandalojë një vakum sigurie pas fillimit të rindërtimit të Gazës. Turqia kishte ofruar të dërgonte trupat e saj, por Izraeli – sipas burimeve diplomatike – ka bërë të ditur se e kundërshton këtë.
Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Tel Avivit janë përkeqësuar vitet e fundit, sidomos për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Sirisë, dhe qeveria izraelite e sheh presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si “shumë të afërt me Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin”. Megjithatë, përjashtimi i Turqisë ka shkaktuar polemika, pasi Ankaraja është një nga garantueset e të ashtuquajturit “marrëveshje paqeje e Trumpit” me 20 pika dhe ka një nga ushtritë më të përgatitura në rajon.
Sipas burimeve, misionin e stabilizimit me shumë gjasë do ta udhëheqë Egjipti, me pjesëmarrjen e mundshme të Indonezisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat kërkojnë që misioni të ketë mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ndonëse vetë nuk do të jenë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, raporton The Guardian.
Forca do të bashkëpunojë me njësinë ushtarake amerikane Civil-Military Coordination Centre (CMCC), të vendosur në qytetin izraelit Kiryat Gat. Njësia, në të cilën marrin pjesë këshilltarë nga Britania e Madhe, Franca, Jordania dhe Emiratet, u hap zyrtarisht të martën nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance. CMCC do të ketë rol ushtarak, por edhe detyra në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza, megjithëse pikat kryesore kufitare mbeten ende të mbyllura.
Misioni pritet të marrë përsipër çarmatimin e Hamasit dhe sigurimin e krijimit të një qeverie kalimtare palestineze. Formimi i kësaj qeverie ende është objekt negociatash, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përjashtuar mundësinë që Autoriteti Palestinez të ketë rol në Gaza pas luftës. Ndërkohë, fraksionet palestineze, përfshirë Hamasin dhe Fatahun, kanë arritur në Kajro marrëveshje për krijimin e një “komiteti të përkohshëm të ekspertëve të pavarur”, që do të menaxhojë shërbimet bazë dhe jetën në Gaza.
Në të njëjtën kohë, ekipi turk i menaxhimit të katastrofave (AFAD), i përbërë nga 81 anëtarë dhe i pajisur me qen kërkimi dhe pajisje për zbulimin e të mbijetuarve, ende po pret lejen izraelite për të hyrë në Gaza nga Egjipti.
Presidenti Erdogan deklaroi të premten se: “Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për ta detyruar Izraelin të respektojë detyrimet e tij nga plani i paqes së Trumpit”, duke përfshirë sanksione të mundshme dhe ndalim të shitjeve të armëve.
Nga ana tjetër, Rubio tha se: “Nuk ka vend për agjencinë UNRWA në Gaza”, duke e quajtur atë “një degë të Hamasit”. Qëndrimi i tij shkaktoi kritika në Evropë dhe në Kombe të Bashkuara, si dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila këtë javë vendosi se UNRWA mbetet kanali i pazëvendësueshëm për shpërndarjen e ndihmave humanitare. Gjykata gjithashtu vlerësoi se Izraeli nuk ka paraqitur prova që UNRWA është “i infiltruar në mënyrë të pakthyeshme nga Hamasi”.
Qëndrimi i përbashkët amerikan-izraelit kundër UNRWA-s krijon një dilemë, pasi plani i Trumpit parashikon një rol për OKB-në në shpërndarjen e ndihmave në Gaza, por kërkon të përjashtojë pikërisht UNRWA-n, agjencinë kryesore për këtë qëllim.
Norvegjia, e cila vitin e kaluar iniciuoi një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, po përgatit një propozim të ri për të detyruar Izraelin të lejojë hyrjen e pandërprerë të ndihmave humanitare në Gaza. Sipas marrëveshjes nga plani i Trumpit, në Gaza duhej të hynin çdo ditë 600 kamionë me ndihma, por aktualisht numri është vetëm rreth 89, ose 14% e sasisë së planifikuar.
UNRWA ka dënuar Izraelin, duke deklaruar: “Që nga fillimi i luftës në Gaza, edhe Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, po përjeton një rritje të madhe të dhunës. Familjet po jetojnë në frikë dhe pasiguri. Aneksimi i paligjshëm i Bregut Perëndimor po vazhdon dhe duhet të ndalet. E ardhmja e Gazës dhe e Bregut Perëndimor është e përbashkët”.
Kreu i agjencisë humanitare të OKB-së (OCHA), Tom Fletcher, pas vizitës në Gaza, deklaroi se: “Kisha ndjesinë sikur po ecja mes rrënojave të Hiroshimës, Stalingradit ose Drezdenit”.
Ndërkohë, Hamas deklaroi të premten se “ka marrë garanci të qarta nga ndërmjetësit se lufta praktikisht ka përfunduar”, dhe së bashku me Fatahun nënshkroi marrëveshje për formimin e një organi të përkohshëm administrativ, i cili, me mbështetjen e vendeve arabe dhe organizatave ndërkombëtare, do të drejtojë punët bazë në Gaza.










