Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e kolegjiumit me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë diskutimeve profesionale me kryeprokurorët e prokurorive, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar që të zbatohen udhëzimet e detyrueshme të nxjerra nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me qëllim të unifikimit të praktikave në funksion të zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit në këtë takim ka ngritur edhe çështjen e performancës së të gjithë prokurorëve të prokurorive përgjatë vitit të kaluar, ku ka kërkuar që t’i kushtohet rëndësi më e madhe ngritjes së efikasitetit të prokurorëve konform normës orientuese me qëllim të përmirësimit të rezultateve të përgjithshme të punës.
Një nga temat e diskutuara në këtë takim ishte edhe trajtimi me prioritet i veprave penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore, si dhe caktimi i prokurorëve koordinatorë për fusha të ndryshme në të gjitha prokuroritë e vendit.