Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, kanë pritur në takim udhëheqësin e Projektit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Misionin e OSBE-së në Kosovë, z. Kakhramondzhon Sanginov, si dhe udhëheqësin e Ekipit për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, Seksioni për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Nicola Scaramuzzo.
Në qendër të diskutimit ishte agjenda e takimit të parë të Komitetit Drejtues të “Projektit rajonal të monitorimit të proceseve gjyqësore – Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ky projekt është i financuar nga Komisioni Evropian dhe i zbatuar nga misioni i OSBE-së.
U.d. Kryeprokurori Kelmendi dhe kryesuesi Hajdaraj vlerësuan punën e këtij projekti dhe u dakorduan për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit.