CCNO, Vepro & Varg e Vi, 23 nëntor 2023, Gjilan
Sonte në Teatrin e qytetit të Gjilanit, u hap zyrtarisht Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme. Mediana Bislimi, si menaxhere e projektit “Festivali i teatrit të shkollave të mesme” në fjalën hapëse të festivalit, që në fillim theksoi se ndihet shumë krenare me festivalin: “Tri organizata partnere: CCNO, si lidere e projektit, bashkë me OJQ-të Vepro dhe Varg e Vi, bashkuam forcat dhe sot kemi këtë festival unik në Gjilan e në mbarë Kosovën. Kishim kënaqësinë për këtë periudhë, të bashkëpunojmë shkëlqyer me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorinë Komunale të Arsimit, drejtoritë e shkollave të mesme, Teatrin e qytetit të Gjilanit, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.”
Pas menaxheres së projektit, fjalën përshëndetëse e mori Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit, Kushtrim Zeqiri. “Ky festival ka marrë mbështetjen financiare përmes memorandum bashkëpunimit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, DKRS-së dhe Ministrit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çekun, dhe projekti po zbatohet suksesshëm nga organizatat CCNO, Vepro dhe Varg e Vi.”
Në natën e parë të festivalit, u paraqitën në skenë, nxënësit nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, të cilët shkëlqyen me rolet, personazhet, karakteret, interpretimin dhe lojën skenike teatrore, me shfaqjen “Klasa premtuese”. Drama po bënte fjalë për dinamikat e reja bashkëkohore të mjedisit shkollor, i cili po sfidohej nga portretizimi negativ i figurës së mësimdhënësit dhe mësimdhënies tradicionale, nevojës për reformat në metodologjinë e mësimdhënies në qendër nxënësin, konfliktet ndërmjet bashkëmoshatarëve në klasë e jashtë saj, si dhe luftimin e stereotipave dhe paragjykimeve urbane ndaj nxënësve me origjinë nga fshati.
Shfaqja “Klasa premtuese” u bë me regjinë e Blendi Arifit dhe Egzona Salihut, në bashkëpunim me regjisorin Ekrem Sopin dhe aktorin Avni Shkodrën, me dramë të shkruar nga Avni Rudaku, skenografi të Din Azizit dhe me mbështetjen teknike nga punonjësit e teatrit. Në shfaqje morën pjesë nxënësit: Anisa Jakupi, Anisa Kçiku, Ardita Ajvazi, Art Hyseni, Delina Hasani, Jona Shkodra, Jonida Bllaca, Loresa Demiri, Lijana Sadiku, Rinesa Jerliu, Sherife Syla, Tuana Dushica dhe Xhengiz Yzeiri.
Në natën e nesërme, në orën 19:00, do të jetë shfaqja “FOMO”, nga Shkolla e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, me regji të Natyrë Kallabës, ku festivali do të ketë shfaqje deri më 26 nëntor 2023 me nxënësit e të gjitha shkollave të mesme në Komunën e Gjilanit.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, para pak kohësh, hapi thirrjen publike për Festivalin e Teatrit të Shkollave të Mesme në Komunën e Gjilanit, me objektivat e përgjithshëm si: promovimin e artit përmes pasurimit, diversifikimit, barazisë gjinore dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore; edukimin e hershëm përmes teatrit; krijimin e një ekosistemi të shëndetshëm kulturor, nxitjen e vullnetarizmit, ofrimin e hapësirave për talentët e rinj, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën kulturore dhe, fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të arsimit, kulturës dhe shoqërisë civile. CCNO, Vepro dhe Varg e Vi pasi dolën të suksesshme në thirrjen publike, janë implementueset e këtij projekti.