Shkruan: Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2019
Më 23/02/2019 në Gjilan u mbajt me sukses “Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2019” për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII. Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan Nazim Gagica, tha se Komuna e Gjilanit dhe DKA, gjithnjë do të jenë të gatshme të përkrahin organizimet e këtilla të dijes.
Më 23/02/2019 u mbajt Olimpiada e XI Matematike e Gjilanit – OMGJ 2019, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Kjo garë është organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII dhe u mbajt nën përkujdesjen e DKA-së në Gjilan. Në OMGJ 2019 morën pjesë rreth 100 pjesëmarrës. Këto olimpiada matematike komunale u mbajtën njëkohësisht në tërë Kosovën dhe nxënësit iu nënshtruan të njëjtave teste të përgatitura nga SHMK (varësisht nga klasa që vijojnë).
Olimpiadën e hapi Nazim Gagica, drejtor i DKA-së në Gjilan. Ai i përshëndeti të pranishmit në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, DKA-së dhe të vetin. Ku njëkohësisht falënderoi kryetarin e komunës për mbështetjen e afruar për sektorit e arsimit në Gjilan. Ai potencoi se Gjilani vazhdon të jetë shembull I organizimit cilësor të olimpiadave matematike. Ku e vlerësoi këtë aktivitet garues në fushën e matematikës si shumë të rëndësishëm dhe domethënës për shoqërinë tonë. Ai tha se kjo garë bën edhe nxitjen e stuhive të të menduarit me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira dhe rritjen e cilësisë dhe perfomancës së nxënësve. Ai poashtu e çmoi shumë koordinatorin e kësaj olimpiade Festim Shkodra, anëtarët e komisioneve punuese të olimpiadës, si dhe të gjithë mësimdhënësit tjerë që po bëjnë një punë jashtëzakonisht cilësore, të mirë dhe të palodhshme me këto organizime tejet domethënëse për qytetin tonë.
Në këtë olimpiadë prezantoi edhe profesori i matematikës dr.sc. Xhevdet Thaçi, dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai tha se nxënësit e Gjilanit vazhdimisht po tregojnë rezultate të larta në mësime dhe fusha të tjera. Ai shfrytëzoi këtë rast edhe që t’i njoftonte këta pasionantë të matematikës për lajmin e mirë, se Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, iu ka konfirmuar se ka kaluar fazën e parë akreditimit, për hapjen e Fakultetit të Matematikës për studime në drejtimin arsimor. Ku iu tha garuesve se do të mund të gjejnë veten në të ardhmen.
Me një fjalë rasti u paraqit edhe koordinatori i kësaj olimpiade profesori I matematikës Festim Shkodra. Ai duke iu uruar suksese të gjithë garuesve, tha se të gjithë këta nxënës janë fitues në një mënyrë apo tjetër, sepse kanë kaluar me sukses një varg sfidash për të arritë deri në këtë olimpiadë, por edhe sot janë fitues sepse po sfidojnë veten me detyra interesante matematike, duke arritë horizonte të reja të dijes në këtë shkencë të mrekullueshme. Ai falënderoi kryetarin e komunës, DKA-në, SHMK-në, dashamirët e matematikës si dhe mësimdhënësit që ndihmuan organizimin e kësaj olimpiade. Koordinatori një falënderim të veçantë e pati edhe për mikpritësin e olimpiadës, Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan për ofrimin e kushteve tejet komode për mbajtjen e kësaj gare. Në fund ai ju uroi sukses të gjithë garuesve me dëshirën që edhe ekipi fitues i sivjetëm të vazhdoj traditën dhe të na përfaqësoj sa më mire jo vetëm në OMK 2019 por edhe më tutje.
Për garuesit dhe anëtarët e komisioneve punuese DKA e Gjilanit, organizoi një drekë në konviktin e nxënësve dhe studentëve ne Gjilan. Gjatë këtij takimi temë kryesore ishte matematika dhe problematikat e mësimdhënies dhe mësimnxënies së saj.
Organizimin e OMGJ 2019, e ndihmuan edhe kompanitë gjilanase: “GanDizajn”, “ADEA Group”, “BITI”, “LINDA Group “DURRËSI”. “TINGON” dhe “SyriMobile House”. Në saje të kësaj përkrahjeje, organizatori arriti që nxënësit më të mirë t’i shpërblej me mirënjohje, medalje, libra, enciklopedi etj. Me mirënjohje për pjesëmarrje u shpërblye çdo garues. Pos nxënësve fitues, në shenjë nderimi për punën e tyre, do të shpërblehen me mirënjohje edhe mësimdhënësit e nxënësve fitues. Po ashtu me mirënjohje u shpërblyen edhe mësimdhënësit e angazhuar në komisione të ndryshme pune në olimpiadë, si dhe kontribuesit që ndihmuan në mbarëvajtjen e kësaj olimpiade.
TV VALI, edhe sivjet bëri prezantimin mediatik të kësaj ngjarje, gjë që sipas organizatorëve, po ndikon mjaft shumë në rritjen e interesimit të nxënësve për pjesëmarrje dhe popullarizimin e matematikës në përgjithësi.
Përkrahja e këtillë e vazhdueshme, vullneti i madh për punë i mësimdhënësve të matematikës të Komunës së Gjilanit si dhe vullneti për dije i nxënësve tanë, po bën që Gjilani të shquhet me rezultatet e arritura nga nxënësit përfaqësues të saj në vend e më gjerë. Sepse garat e vazhdueshme që po mbahen, me standarde mjaft të larta po bëjnë që nxënësit tanë të kaliten në fushën e matematikës gjithnjë e më tepër.
Në këtë olimpiadë, ku morën pjesë nxënësit më të suksesshëm në fushën e matematikës, të klasave IX, X, XI dhe XII nga të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, 12 më të mirët u shpallën:
Klasa e IX
1. LUM JERLIU nga SHMU “Selami Hallaqi” në Gjilan
2. YLLKË JASHARI nga SHMU “THIMI MITKO” në Gjilan
3. ELDA QERIMI nga SHMU “Agim Ramadani” në Zhegër
Klasa X
RINESË MORINA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. EDIN RAMA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. DION MIFTARi nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Klasa XI
1. VEGIM IBRAHIMI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. BARDH MUSTAFA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. SAIMIR BUNJAKU nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Klasa XII
1. ALBINIS RUDAKU nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. LAURORË JAHIU nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. DRILON MORINA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Vlen të përmendet veçanërisht për suksesin e arritur nxënësi i klasës së VIII Lum Jerliu, të cilit Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) në bazë të suksesit që ka treguar në vitin e kaluar, iu lejoi pjesëmarrjen direkte në OMGJ 2019, në kuadër të klasave të nënta. Ky nxënës arriti të zë vendin e I-rë për klasat e IX.
Këta nxënës, fitues të OMGJ 2019, e përfaqësuan Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës OMK 2019, që u mbajt më 02/03/2019 në Gjimnazin Matematik në Prishtinë, në organizim të SHMK-së (Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës). Rezultatet e OMK 2019 do të publikohen pas disa ditësh.Në OMK 2019 zgjedhen nga 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsejt 20 nxënës). Pastaj, ata do t’i nënshtrohen një testi tjetër seleksionues final, me detyra të njëjta për të gjithë. Në bazë të suksesit të treguar në këtë test final zgjedhet ekipi i Kosovës prej 6 më të mirëve. Me këtë ekip pastaj do të zhvillohen përgatitje disa mujore. Ky ekip do të merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare – IMO 2019, të 60-tën me radhë, që sivjet mbahet më 11 -22 korrik 2019 në qytetin Bath të Mbretërisë së Bashkuar (United Kingdom). IMO është për fushën e matematikës e ngjajshme me Lojërat Olimpike Botërore në sport.
Suksese!…