Në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2026“, nën patronatin e kryetarit të komunës Alban Hyseni dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ushtruesit të detyrës së drejtorit Kushtrim Zeqiri, Shoqata e Historianëve të Gjilanit ka organizuar një tryezë kushtuar Heronjve të „Flakës së Janarit“ dhe është dhënë një dokumentar për Mulla Idriz Gjilanin.
Fillimisht, Artan Dërmaku, rektor në Universitetin „Kadri Zeka“ në Gjilan, ka theksuar se nuk duhet harruar kontributin e njerëzve që sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë ne sot dhe ka shtuar se është i nderuar që Universiteti i Gjilanit mbanë emrin e Kadri Zekës.
Në pjesën e kumtesave, studiuesi Ilir Vokshi është paraqitur me temën „Kadri Zeka nga veprimtaria ilegale në Kosovë te organizimi politik i mërgatës shqiptare“. Ai ka folur për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, bashkëpunimin e tij me Rexhep Malën, Nuhi Berishën e Jusuf Gërvallën. Për kohën kur kaloi në ilegalitet dhe veprimtarinë e tij jashtë dhe brenda Kosovës. Për Zekën, ai tha se gjatë qëndrimit në mërgim organizoi demonstrata dhe bashkë me shokë ia doli që të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës dhe të afirmojë çështjen kombëtare në botë. U angazhua për bashkim të organizatave, gjë për të cilin luftoi deri në vdekje.
Krenare Rahimi, historiane, u paraqit me kumtesën „Flaka e Janarit dhe heroizmi politik i Rexhep Malës, simbol i rezistencës dhe qëndresës shqiptare“, ku spikati rolin e Rexhep Malajt dhe aktivitetin e tij politik, ideologjik dhe edukativ. Ajo shpalosi edhe qëndresën e Malajt në kazamatet serbe, foli për kujtimet nga burgu dhe pjesët e shkruara sa ishte në burg e më pas edhe për kalimin në emigrim, ngase u përndoq, u arrestua, por nuk u thye kurrë. Rahimi shpalosi pjesë të shkrimeve që Rexhep Malaj i kishte shkruar sa ishte në burg dhe sidomos për dorëshkrimin „Qëndresa“, duke thënë se Malaj la pas trashëgim moral e politik.
Studiuesi Gazmend Arifi është ndalë tek jeta dhe vepra e Nuhi Berishës, i cili me guxim veproi kundër regjimit dhe që ishte pjesëmarrës i të gjitha demonstratave në të cilat përkrahte dhe nxiste demonstruesit për rezistencë. Ai veproi edhe kur doli në ilegalitet, por që pas pak kohe është kthyer për të bashkëvepruar me Rexhep Malajn, me të cilin bashkërisht veproi deri në rënien heroike.
Besnik Kurteshi u paraqit me kumtesën „Reshat Ymeri, simbol i rënies për Kosovën e lirë“. Për Ymerin tha se ishte i pandalshëm në demonstrata, ishte aktiv deri në kohën kur u qëllua për vdekje nga okupatori. Kurteshi ngjalli kujtime për veprimtarinë e Reshatit. Reshit Ymeri u rivarros në Kodrën e Dëshmorëve në vitin 2014.
Drejtoresha e Institutit të Historisë në Prishtinë, Teuta Shala – Peli u paraqit me kumtesën „Nga demonstratat te çlirimi – rruga drejt pavarësisë“, duke theksuar se periudha më dramatike për shqiptarët ishte ajo e vitit 1981, që ishte një kryengritje kundër dhunës e diskriminimit që po bëhej ndaj shqiptarëve dhe ishte kohë kur është bërë kthesa e madhe, ngase demonstratat u përhapën kudo, sepse shqiptarët nuk i pranuan padrejtësitë. Më pas rezistenca mori formë të armatosur, që bashkë me ndërhyrjen e NATO-s sollën lirinë.
Sabile Keçmezi – Basha me punimin e saj është përqendruar në lindjen dhe organizimin e „Flakës së Janarit“ ndër vite dhe për protagonistët që u kushtohet ajo, kurse studiuesi Blerim Haziri, u ndal tek „Masakra e Reçakut“, duke gjetur se para saj ishte rasti i inskenuar „Panda“ në Pejë që paraqet paturpësinë e regjimit serb. Për „Masakra e Reçakut“, tha se ajo shënon kulmin e dhunës policore-ushtarake e paramilitare serbe. Kjo ngjarje bëri bujë ne mediet ndërkombëtare e misioni verifikues, të cilët hodhën poshtë pretendimet serbe. Çështja e Reçakut ndërkombëtarizoi edhe ë tepër situatën në Kosovë dhe ndërgjegjësoi botën, kurse NATO ndërhyri ushtarakisht.
Në pjesën debatuese u inkuadruan edhe Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut, Shmsi Syla, Rexhep Abazi nga Medvegja, Ramadan Kurti, Saime Isufi, Selim Daku, Gaani Neziri, të cilët u angazhuan që të studiohen edhe segmente të veçanta të organizimit me qëllim që të kompletohen ngjarjet.
Në fund është dhënë një dokumentar gjysmëorësh për Mulla Idriz Gjilanin me titull „Në përjetësinë e Kombit“.










