U promovua trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” e autorit Avni Dehari
Në Gjilan është promovuar trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” e autorit Avni Dehari, i cili është autor i 12 librave në prozë dhe poezi.
Fillimisht për këtë libër ka folur Rushit Ramabaja, që është redaktor i librit. Ai ka thënë se autori në këtë trilogji, autori shkruan që nga lindja e deri në vdekjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Duke folur për veprën e Deharit, ai tha se autori me mjeshtri të rrallë u jep jetë ngjarjeve historike dhe se ai ka një stil brilant dhe gjetje të shkëlqyeshme artistike. Nëpërmjet këtij libri brezat e tashëm dhe të ardhshëm do t’a kenë më të afërt epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Nevzad Isufi, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, tha se ky libër vije në 550- vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Ai tha se kjo temë nuk është e rastësishme. Autori dëshmoi se njeh historinë, rrethanat e kohës dhe kryeheroin dhe se të gjitha këto ai i lidh natyrshëm. Sipas Isufit, autori ka bërë që lexuesi ngjarjet e mesjetës t’i ketë më të afërta dhe ka dëshmuar se është një krijues me përvojë letrare. Me këtë libër, Dehari ka pasuruar edhe fjalorin burimor e të pasur të gjuhës shqipe.
Nebi Bunjaku, recensent i librit, në vështrimin e tij ka thënë se secila pjesë e kësaj trilogjie ka titullin e saj logjik, ka strukturë të mrekullueshme e stil gjuhësor dhe me figura të shumta stilistike, me një stil brilant.
Vetë autori i trilogjisë, Avni Dehari, i cili ka përzgjedhur Gjilanin për të promovuar librin, ngase pikërisht në këtë qytet në vitet 1971/1972 kishte punuar mësimdhënës, tha se ka zgjedhur Gjergj Kastriotin Skënderbeun për personazh, ngase ne shqiptarët kemi histori të pasur kombëtare, por atë e shfrytëzojmë fare pak.
“Për heronjtë duhet të shkruhet më shumë e posaçërisht për fëmijë. Do të isha i lumtur nëse ia kam dalë t’u sjellë jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka thënë Dehari.
Aktori i mirënjohur gjilanas Ramadan Kurti, ka deklamuar fragmente nga trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” e autorit Avni Dehari