Një person është gjetur i vdekur dhe i varrosur më datën 4 gusht në fshatin Baicë të Lipjanit. Lidhur me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, tha se kanë nisur hetimet mbi rastin.
“Lidhur me rastin e raportuar të personit të zhdukur në Komunën e Lipjanit se më datë 04.08.2025, është gjetur një trup i pajetë, aktualisht janë duke ndërmarrë veprime hetimore intensive nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, tha ajo.
Ndryshe, Policia ka dhënë detaje rreth ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në Lipjan.
Në raportin e policisë thuhet se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, trupi është i freskët.
“Fsh. Baicë, Lipjan. 04.08.2025-12:05. Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, bëhet e ditur se në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë.
Dyshohet se i groposur është gjetur Enver Bajraktari, zhdukjen e të cilit e bëri të ditur familja e tij, e cila kërkoi edhe ndihmë për ta gjetur.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet apo të dyshuarit e mundshëm.
Policia dhe prokuroria kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.