Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me një reagim pasi në media u raportua se Blloku B2 i Termocentralit Kosova B, nuk është duke prodhuar më kapacitet të plotë, të paktën siç ka prodhuar vitin e kaluar, apo para pak muajve. Po ashtu u raportua se pas kthimit nga renovimi vjetorë, ky Bllok, është duke prodhuar fiks 199 MWh, dhe jo 250 MW ashtu siç ka prodhuar pak javë më parë.
KEK’u ka demantuar raportimet në fjalë duke thënë se këto spekulime kanë efekt negativ në gatishmërinë dhe vullnetin e punëtorëve që bëjnë maksimumin në operimin e njësive prodhuese dhe për të siguruar energji elektrike për qytetarët e vendit.
“Njësia B-2 ka realizuar remontin e rregullt vjetorë në Gusht të këtij viti. Ky remonti është bërë me pjesëmarrjen në inspektim në punët në turbinë nga ekspertët e kompanisë General Eletric (GE). Inspektimi ka rezultuar me disa të gjetura të cilat janë eliminuar. Remonti është bërë po ashtu nën mbikëqyrjen e ekipit të GE.
Për sigurinë e operimit të turbinës në njësinë B2, ekspertët e GE kanë rekomanduar kufizim të ngarkesës në operim, i cili pritet që të rritet pas aktivizimit të sistemit të ko-gjenerimit me 15 tetor”, thuhet në reagim.