Mbrojtësi i Dritës, Liridon Leci do të hetohet nga UEFA për shkak se festoi duke bërë shqiponjën në ndeshjen me Lincoln Reds Imps. Një nismë e tillë është absolutisht e padrejtë për mbrojtësin e skuadrës gjilanase.
“Kjo është diçka krejtësisht absurde. Unë kam festuar duke bërë shqiponjën, por në asnjë mënyrë nuk kam provokuar, madje as nuk kam pasur kë ta provokojë”, ka thënë Leci për Insporti.com
Secili e ka mënyrën e tij të festimit, unë kam festuar në atë mënyrë, por ka qenë krejt instinktivisht. Mirëpo, edhe nëse do të ishte e qëllimshme, nuk ka asgjë te keqe, sepse është simbol që na përfaqëson ne”, ka shtuar Leci.
Futbollisti i Dritës apelon që lidhur me këtë çështje të reagojë edhe shteti ynë, edhe Federata e Futbollit, gazetarët sportivë… “Duhet të reagojmë zyrtarisht, sepse kjo po na ndodh vetëm ne. Përveç kësaj, në këtë mënyrë po i humb edhe bukuria e futbollit, sepse nuk mund t’i ndalohet futbollistit të festojë, sigurisht kur nuk e ka qëllim të provokojë”, është shprehur Leci.
Ai beson se nuk do të dënohet nga UEFA, por njëkohësisht nuk e përjashton mundësinë që sërish të festojë në të njëjtën mënyrë./Insporti.com/