Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se qeveria e vendit kundërshton idenë e përhapur nga Rusia se Ukraina duhet të adoptojë një model suedez ose austriak të neutralitetit.
Mykhailo Podolyak tha se Ukraina tani është në një gjendje lufte me Rusinë dhe se një model i sigurisë duhet të jetë ukrainas me “garanci sigurie të verifikuara ligjërisht dhe asnjë model apo opsion tjetër”.
“Çfarë do të thotë kjo? Së pari, garancitë absolute të sigurisë, që do të thotë se nënshkruesit e garancive nuk qëndrojnë mënjanë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, siç është sot. Në vend të kësaj, ata do të duhej të merrnin pjesë aktivisht në anën e Ukrainës në konflikt dhe do të na siguronin një furnizim të menjëhershëm të armëve të nevojshme”.
Podolyak tha se Ukraina nuk ka qenë kurrë një shtet militarist që sulmon ose planifikon të sulmojë fqinjët e saj.
Ai gjithashtu përsëriti kërkesën për mbylljen e hapësirës ajrore mbi Ukrainë. /Gazeta Express/