Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet Basha dhe Thaçi, pas ndarjes tragjike nga jeta të studenteve Arbnora Basha dhe Antiana Thaçi.
Në një telegram ngushëllimi, rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka vlerësuar kontributin e tyre akademik dhe ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje të rëndë.
Universiteti thekson se dy studentet e dalluara do të mbeten në kujtesën e kolegëve dhe stafit akademik si shembuj të përkushtimit dhe angazhimit.
Telegram ngushëllimi për familjen Basha dhe Thaqi
E nderuar Familje Basha, Familje Thaqi,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të studenteve të Fakultetit të Edukimit, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ndan dhimbjen me familjet tuaja, të afërmit, kolegët dhe miqtë për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme.
Arbnora Basha, studente e dalluar dhe Kryetare e Këshillit të Fakultetit të Edukimit, la pas vetes një trashëgimi të angazhimit, përkushtimit dhe shembullit të një studenteje të përkushtuar. Po ashtu, humbja e Antiana Thaqit ka lënë një boshllëk të madh në mesin e komunitetit akademik dhe kolegëve të saj.
Arbnora dhe Antiana do të mbeten në mendjen dhe kujtesën tonë, si vajza të zgjuar dhe studente të dalluara, me të gjitha tiparet.
Kjo humbje e madhe, la në gjysmë ëndrrën e tyre për rrugëtimin që kishin nisur.
Kjo tragjedi e rëndë na ka prekur të gjithëve dhe na ka lënë pa fjalë. Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe ëndrrat e tyre të papërmbushura.
Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe në emrin tim personal, ju përcjellim ngushëllimet dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira.
Ju lutem t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta.
Me respekt,
Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku
Rektori i UKZ-së