Disa vite më parë kishte një trend gjithnjë në rritje të kërkesave për azil, trend i cili kaploi edhe Republikën e Kosovës.
Madje në vitin 2015 nga Kosova u larguan rreth 75 mijë qytetarë, shumica e të cilëve kaluan kufirin në mënyrë të jashtëligjshme dhe shkuan kryesisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Instituti EPIK këtyre ditëve ka publikuar një raport rreth trendëve të fundit në lidhje me numrin e kërkesave të azilit në Bashkimin Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij instituti, në vitin 2019 në BE janë regjistruar gjithsej 31,030 azilkërkues nga Ballkani Perëndimor.
Instituti EPIK tregon se për dallim nga vitet e mëparshme, Kosova në vitin e fundit ka pasur rënie të azilkërkuesve dhe që tri vendet e BE-së të cilat kanë pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil janë Franca, Gjermania dhe Suedia.
“Sa i përket Kosovës, në vitin 2019 në BE janë regjistruar gjithsej 2,355 azilkërkuesit. Ky është niveli më i ultë historik i azilkërkuesve nga Kosova. Tri vende të BE-së të cilat kanë pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil nga Kosova janë: Franca (1,510), Gjermania (415) dhe Suedia (120)”, njofton EPIK.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se arsyeja e rënies së azilkërkuesve është vetëdijesimi i vazhdueshëm i qytetarëve për mundësitë e kufizuara për azilkërkim të suksesshëm.
“Arsyeja e rënies është vetëdijesimi i vazhdueshëm i qytetarëve për mundësitë e limituara për azilkërkim të suksesshëm”, ka thënë.
Ky institut gjithashtu thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur rënie në numrin e kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Evropian, përveç Shqipërisë, e cila ka dyfishuar numrin e azilkërkuesve.
Në vitin 2019 në BE janë regjistruar gjithsej 20.500 azilkërkues nga Shqipëria. Kjo sipas EPIK-ut është sa numri i azilkërkuesve nga i gjithë rajoni – i shumëzuar me dy.
Ndërkaq statistikat tregojnë se nga viti 2009-2019 janë regjistruar gjithsej 595,965 kërkesa për azil në BE nga vendet qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve prej 196,405, ndërsa Mali i Zi me numrin më të vogël prej 10,665”, thuhet në publikimin e EPIK.
Shasha thotë që rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria ka ndodhur për shkak të gjendjes politike dhe ekonomike.
“Shqipëria është rast i veçantë pasi historikisht ka pasur fluks më të madh të azilkërkuesve sesa vendet e tjera të rajonit. Arsyet janë të lidhura kryesisht me gjendjen politike dhe ekonomike në vend”, sqaroi Shasha.
Ndërsa rënien e azilkërkuesve nga Kosova, Shasha e vlerëson si pozitive dhe si faktor që merret parasysh gjatë procesit të liberalizimit të vizave.
“Rënia e azilkërkuesve nga Kosova është gjë pozitive pasi është një element i rëndësishëm që merret parasysh gjatë procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Shasha.
Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen ose siç njihet si liberalizmi i vizave, në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010.
Mirëpo Kosova mbetet ende vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm.
Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë.
Vonesat kanë ardhur pasi disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë. /Reporteri.net/