Më mirë ta ndezësh një qiri, sesa ta mallkosh errësirën -Kineze/
Në një tryezë, të organizuar nga KFOS-i, në Tiranë me 20 tetor të këtij viti, në të cilën u diskutua për pozitën e Kosovës në Dialogun me Serbi, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës,të gjithë u pajtuan se me Serbinë, duhet të dialogohet, por nuk duhet hapur çështjen e kufijve, aty u konstatua se para fillimit të negociatave për marrëveshje me Serbinë është e nevojshme analiza e dialogut të gjertanishëm si dhe listimi i kërkesave që duhet drejtuar Serbisë, e që janë të domosdoshme të plotësohen si kusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e përfshi këtu edhe kompensimin e dëmeve që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës gjatë luftës së fundit.
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Në këtë tryezë po ashtu, të gjithë e konsideronin të pa anshkalueshëm rrolin e Kuvendit të Kosovës si në hartimin e platformës për negociata dhe përzgjedhjen e delegacionit që do të negocioj me përfaqësuesit e Serbisë në emër të Kosovës.
Në takimin e Tiranës fitohej përshtypja se uniteti për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë tani më ekziston.
Mirëpo në Prishtinë apelet për unitet, sidomos nga pozita, nuk kanë të sosur. Në këtë drejtim shquhet Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Veseli, që është edhe kryetar i PDK-së, ai kohëve të fundi shpesh po e përsërit apelin për unitet, duke e ndërlidhur atë me nevojën që po e imponon aktualiteti politik.
Kërkesa për unitet, për interesa të vendit, në parim është e drejt, por shumë me rëndësi është qasja dhe serioziteti i apeluesit, e qasja e kryetarit dhe një numri të konsiderueshëm tëdeputetëve të pozitës nuk po i kontribuon unitetit të nevojshëm për arsyet në vijim.
Kryetari i Kuvendit ka për obligim përherë t’i respektoj opozitën ashtu si që e respekton pozitën dhe secilin deputet veç e veç , e jo vetëm kur ka nevojë për ata, ai por jo vetëm ai, shpesh i nënçmon e fyen partitë opozitare, duke thënë se kurrë nuk ka pas opozitë më të dobët, e sihariqe të tjera të ngjashme që nuk korrespondojnë me sjelljen e kryetarit e aq më pak me sjelljen e dikujt që apelon për unitet. Kryetari dhe disa deputet të pozitës po sillet kështu në kohën kur pozita nuk është në gjendje të bëjë as një punë të vetme në Kuvend pa opozitën.
Ai dhe pozita në përgjithësi kur po e ftojnë opozitën ta votojnë rezolutën e pozitës dhe Ekipin për Dialog me Serbinë të propozuar nga Qeveria, në të vërtet nuk po e ftojnë opozitën për unitet, por po i ftojnë këto subjekte që ta ndihmojnë pozitën që t’i arrij synimet për të cilat pozitës i mungojnë votat.
Po të angazhohen për unitet pozita do t’i fton partitë parlamentare ta hartojnë një dokument të përbashkët, formojnë një ekipi të përbashkët negociator si dhe ta emërojnë kreun e ekipit, natyrisht të gjitha këta hapa duhet ta marrin miratimin e Kuvendit. Kështu do të arrihet uniteti karshi Serbisë, ekipi do ta respekton plotësisht platformën e votuar në Kuvend nga pozita dhe opozita.
Nëse pozita dhe Kryetari i Kuvendit seriozisht angazhohen për unitet ata duhet ta kuptoj se është e pamundur që të deklarohet kundër ndryshimit të kufirit dhe në të njëjtën kohë t’i del në mbrojtje idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve, duke e përmendur shpesh rrezikun që mund të vij nga “Zajednica” me kompetenca ekzekutive, që mund të imponohen si alternativ e korrigjimit të kufijve.
Mirëpo ideja për “Zajednicën” me kompetenca ekzekutive është e vdekur nga momenti kur Serbia ka pranuar që statuti i “Zajednicës” të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës e sidomos pas konstatimit të 23 shkeljeve kushtetuese.
Nëse të njëjtit, seriozisht janë kundër ndryshimeve të kufijve atëherë t’i hyjmë analizës së marrëveshjeve të gjertanishme, ta bëjmë listën e kërkesave dhe ta hartojmë platformën e cila do të votohet në Kuvend bashkë me përbërjen e ekipit dhe kreun e saj.
Nëse z. Veseli dhe të tjerët donë vërtet me i kontribuar unitetit karshi Serbisë, atëherë ata duhet të angazhohen në ketë drejtim pa bujë sepse me video vetëpromovuese nuk arrihet as uniteti as promovimi.
Është detyrë e deputetëve që ta pengojnë projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës, në të kundërtën barra e përgjegjësisë do të bie mbi të gjithë ne.