Më shumë se 8 mijë studentë do të pranohen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton KTV.
Por, këtu jo gjithherë, regjistrohen studentë të komunave përreth, ku nuk ka universitete, sepse UP-ja mbetet targeti i kërkesave të studentëve nga e gjithë Kosova. Viteve të fundit në Kosovë janë themeluar edhe gjashtë universitete tjera publike. Menaxhmenti i UP-së, thotë se nuk i anashkalon studentët edhe të komunave tjera dhe mjafton që t’i plotësojnë kriteret e konkursit.
Sipas Naser Sahitit, prorektorit për mësim, ajo çka po e dëmton UP-në, është fakti se ende po duhet t’u ndihmojë universiteteve të reja me staf akademik.
Ramë Vataj, rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, bën të ditur se është hapur konkursi për pranim të 2 mijë e 80 studentëve të rinj në vitin akademik 2018-2019.
Ai thotë se shpeshherë studentët e rrethit të Prizrenit kërkojnë UP-në, pasi Universiteti i Prizrenit nuk ka kapacitet për pranimin e më shumë studentëve. Edhe universitetet tjera publike në vend kanë hapur konkurs për studentë të rinj, ndërsa provimet pranuese për kandidatët, pritet të mbahen në fund të këtij muaji.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në fillim të këtij viti, pati deklaruar se po synojnë t’i profilizojnë këto universitete.
Sipas zyrtarëve të MASHT, tashmë është dërguar në Qeveri raporti iniciues për profilizimin e këtyre universiteteve, por që ende nuk është kthyer asnjë përgjigje nga Qeveria.
MASHT-i nuk ka bërë të ditur se si është paraparë mënyra e profilizimit të këtyre universiteteve.