Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sa i përket çështjes së Urës së Ibrit, është pyetur nëse KFOR’i mund të vihet në përballje me autoritetet e Kosovës.
Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirës, ka thënë se nuk mund të flasë se si Kosova mund të reagojë në një situatë tillë, por ka shtuar se KFOR ka qenë shumë i qartë sa i përket hapjes së urës.
Misioni i NATO’s në Kosovë ka thënë se nuk do të hezitojnë të trajtojnë çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Misioni i KFOR-it mban një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë me mandatin tonë të OKB-së”, ka deklaruar KFOR.
Radio Evropa e Lirë: Në reagimin tuaj ndaj mbylljes së Postës së Serbisë, ju thatë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it. Por, pikërisht në këtë rast, e dimë se KFOR-i ka një prezencë të përhershme në urë dhe KFOR-i gjithashtu mendon që kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel. A mundet kjo çështje në një moment të vë KFOR-in në përballje me autoritetet e Kosovës?
Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje.
KFOR-i ndan të njëjtin vlerësim të rrezikut që Shtetet e Bashkuara e kanë për këtë çështje dhe që ne ua kemi bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët dhe kjo është arsyeja pse KFOR-i ka qenë gjithashtu shumë-shumë i qartë duke shprehur pikëpamjen se kjo duhet të bëhet vetëm në një mënyrë që e zbut atë rrezik. Por, ne nuk besojmë se planet aktuale e marrin parasysh atë rrezik.
Radio Evropa e Lirë: A mundet KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?
Jeffrey Hovenier: Për këtë duhet të vendosë vetë KFOR-i. KFOR-i ka dhënë një varg deklaratash publike që është i gatshëm të përmbushë detyrat e tij, për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar liri të lëvizjes në vend, por gjithashtu ka dalë me deklarata që qartësojnë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon.