Sot është testuar stabiliteti i Urës së Ibrit, që ndanë Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, ndërsa dje është lyer pjesa e poshtme e saj.
Mirëpo që këto dy punë janë kryer pjesërisht, pra vetëm në anën jugore.
Siç duket autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë urdhrin që të kryhen në tërë urën për shkak të prezencës së KFOR’it mbi urë.
Misioni i NATO-s në Kosovë dje ka thënë se “nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”.
Ndërkaq, sot zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka paralajmëruar ashpërsim të masave ndaj Kosovës nëse nuk ndryshon situata.
Bashkësia ndërkombëtare e ka kundërshtuar idenë e hapjes së urës mbi Ibër duke thënë se ajo është çështje që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut, mirëpo në Kosovë kanë thënë që kjo është çështje e brendshme e saj.
Për të shprehur kundërshtimin e tyre, dje qytetarët serbë dolën dhe protestuan, ndërsa sot komuna e Mitrovicës së Veriut mbajti një diskutim me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”
Sa i përket stabilitetit të urës, zv/ministri Hysen Durmishi ka thënë se brenda dy-tre dite do të jetë gati raporti final i cili do të tregojë nëse ajo është stabile për qarkullim të automjeteve.
Ai ka thënë se në bazë të asaj që shihet, Ura e Ibrit është ndër urat më stabile në Kosovë.
“Sot jemi duke i bërë testimet e stabilitetit të urës, kemi filluar para dy dite fillimisht me matjet për të caktuar gjeometrin e urës. Sepse ura nuk ka projekt, sot ka metoda shumë të avancuara për ta mat stabilitetin e saj dhe këtë jemi duke e bërë. Gjatë ditës do ta përfundojmë testimin me ngarkesa dhe brenda dy tri dite do ta kemi raportin final i cili do të na tregoj se ura është stabile apo nuk është”. /GazetaExpress/