Shkruan: BERAT BUZHALA
Agimi nuk është i mençur, madje është mediokër, por taktikat e korrupsionit i ka mësuar mirë. Dikë e ka kapur me një fushë, dikë me një tribunë, dikë me një biletë VIP, dikë me pare të federatës, dikë me pare të UEFA-s, e ndoshta dikë tjetër, shumë rrallë kjo, edhe me të tijat.
Qysh shkojnë rrotat e para, shkojnë edhe të mbramat. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore. Meqë në vendin tonë është krijuar një praktikë demokratike, që të mos ketë fare garë, por që kryetarët dhe presidentët të zgjedhen pa kundërkandidatë, pse do të duhej të vepronte ndryshe Agim Ademi?
Ai sot, përmes formave të ndryshme të korrupsionit, duke i blerë udhëheqësit e klubeve nëpër qytete të ndryshme, e instaloi veten në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe për katër vjet të tjera.
Tash, askush të mos më kapë për gjuhe, sepse unë nuk e pashë Agimin duke e korruptuar, bie fjala Batatinën e Llapit, por i madh e i vogël i di qëndrimet e këtij të fundit dhe tash veprimet e këtij të fundit.
Agimi nuk është i mençur, madje është mediokër, por taktikat e korrupsionit i ka mësuar mirë. Dikë e ka kapur me një fushë, dikë me një tribunë, dikë me një biletë VIP, dikë me pare të federatës, dikë me pare të UEFA-s, e ndoshta dikë tjetër, shumë rrallë kjo, edhe me të tijat. Fatkeqësisht askënd nuk e ka kapur, asnjë votë nuk e ka marrë, me vizionin e tij për futbollin, sepse atë vizion nuk e ka. Energjia që ai e shfrytëzon për intriga është shumë herë më e madhe se energjia që do të duhej ta shfrytëzonte për punën në Federatë.
Përveç këtyre, që nuk janë pak, kryetari i sapozgjedhur i federatës ka edhe karakter antisportiv. Temperamenti i tij, dëshira për t’i zgjidhur problemet me grushta, përpara se më dialog, në parim janë zgjidhje josportive. Vetë zgjedhja e tij kryetar i federatës është në frymë josportive. Sporti në esencë është garë, është garë e barabartë, ku marrin pjesë minimumi dy palë, ose dy garues, që i nënshtrohen rregullave të njëjta dhe fiton më i miri. Në anën tjetër kryetari ynë i Federatës e përdori të njëjtën taktikë që e përdorën para disa ditëve tifozët në Gjilan. E goditën kundërshtarin në kokë. Ngjashëm i goditi Agimi kundërshtarët, vetëm që gjakun nuk e pamë. Do t’i shohim humbjet.
Është e kotë ta përmendim paraardhësin e Agimit, Fadil Vokrrin. Figura e tij ka qënë inspirim për çdo kënd që synim e ka pasur futbollin. Nuk jam kompetent që të flas për Fadil Vokrrin si menaxher, ndoshta ka qënë katastrofal, ndoshta edhe në kohën e tij ka pasë korrupsion e keqpërdorime, siç mundohet Agim Ademi ta njollosë në qarqe të caktuara, mirëpo Fadil Vokrri ka pasë diçka që Agimi nuk do ta ketë kurrë. E ka pasë mbiemnin e tij. Ai ka qënë Vokrri, personifikimi i fituesit dhe motivuesit.
Kur Edon Zhegrova pati pranuar që të veshë fanellën e Kosovës, në luftë ishte edhe Shqipëria, e pata pyetur Vokrrin “legjendë, qysh e binde Edonin allahile, çka i the?”
“E thirra në telefon edhe i thashë”, ma ktheu.
“Po çka i the”, insistova unë.
“I thashë jam Fadil Vokrri”, më tha.
Sa herë më kujtohet kjo frazë e tij rrëqethëm. Kjo është sikur të thuash: i thashë jam historia. Agim Ademit nuk do t’i mjaftojë e gjithë jeta e tij që të njoftohet vetëm me mbiemër.
Fatkeqësisht ky është realiteti ynë sportiv, siç është edhe realiteti ynë politik dhe shoqëror. Agimi nuk ka bërë asgjë më shumë as më pak se Albini, se Hashimi, se Ramushi. Përveçse po flasim për sportin dhe për rininë, po flasim për një fushë jetësore ku kemi shpresuar dhe besuar që ndoshta gjërat nuk kanë nevojë që të jenë aq keq, sikur qysh janë në politikë.
Kosova po rritej gradualisht në arenën ndërkombëtare. Potenciali për t’u rritur ishte tepër i madh. Nuk jam aspak i sigurt që me Agim Ademin në krye të Federatës një gjë e tillë do të ndodhë. Sigurisht që të gjithë ne të tjerëve, pa marrë parasysh kush e udhëheq këtë institucion, nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse t’i mbështesim ekipet tona kombëtare me gjithë fuqinë që e kemi, e ta kundërshtojmë Agim Ademin dhe agimademat kudo që këta do ta shkelin ligjin.