Programi i USAID për Kontratën Sociale ka përzgjedhur Gjilanin si komunë partnere për tri vitet e ardhshme.
Konfirmimi u bë i ditur nëpërmjet një letre që kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka pranuar nga dr. Silvia Susnjic, drejtoreshë e programit të USAID për Kontratën Sociale.
“Përzgjedhja e komunës së Gjilanit është bërë në bazë të kritereve të vlerësimit dhe përkushtimin e treguar nga ana e Kryetarit të Komunës, të shprehur gjatë takimit me ekipin e Programit të USAID për Kontratën Sociale, për t’u bërë komunë partnere dhe për të bashkëpunuar me ekipin e programit gjatë fazës së implementimit”, thuhet në letrën e konfirmimit të dr. Silvia Susnjic.
Tutje, në letër thuhet se “në emër të Programit të USAID për Kontratën Sociale, Ju shpreh vlerësimin më të lartë me rastin e vendosjes së këtij partneriteti si dhe mirëpresim zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të ardhshme”.
Përndryshe, më 25 shkurt, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kishte pritur në takim drejtoreshën e këtij programi të USAID-it, ku edhe u vunë bazat e partneritetit.