Programi i USAID-it, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), ka prezantuar sot rezultatet e gradimit dhe vlerësimit të kapaciteteve të organizatës, duke marrë për bazë shtatë indikatorë, ku kjo komunë është vlerësuar se ka shënuar rritje të ndjeshme, krahasuar me matjen në periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Afërdita Mekuli, zëvendësdrejtoreshë e projektit, ka thënë se ndihet krenare me të arriturat dhe përparimin që ka bërë Komuna e Gjilanit në këtë 6-mujor.
“Fillimisht, ju falënderoj shumë për bashkëpunimin shumë të mirë që e keni pasur me ne. Ne jemi krenarë me këtë bashkëpunim, por edhe ju duhet të jeni krenarë me të arriturat në procesin e gradimit. Është një sukses i mirë i Gjilanit për shkak se nga 53 pikë sa ka qenë në raportin e fundit, ka arritur në 67 pikë. Por, ju duhet ta dini që caku i gradimit është 80 pikë dhe Gjilani me këtë ritëm besoj shumë që do ta arrij nivelin për gradim”, ka thënë Mekuli.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka falënderuar përfaqësuesit e programit Programit të USAID-it, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM) për bashkpëunimin, mbështetjen, rekomandimet dhe vlerësimin e lartë të për Gjilanin.
“Bashkëpunimi dhe mbështetja e madhe e zyrtarëve të këtij programi, ka bërë që Gjilani të shënojë progres të madh në fushat që është matur, për çka i falënderoj shumë. T’ju them të drejtën, pritjet kanë qenë më të mëdha se këto rezultate. Megjithatë, jam i kënaqur me të arriturat e deritanishme dhe po ju sigurojë që gjatë ditëve në vijim do të merremi me rekomandimet në fushat ku ka pasur ngecje. Qëllimi është që të sigurojmë një qëndrueshmëri që përputhet me efikasitet në realizim të detyrave, respektim të planeve e afateve kohore”, ka thënë Haziri.
Sipas vlerësimeve të programit të USAID TEAM, Gjilani ka shënuar përparime në prokurim, përkatësisht në aspektin që në këtë 6-mujor ka më pak anulime të kontratave, ka më pak aktivitete të pa planifikuara, ka bërë publikimin e dokumentacionit financiar të prokurimit dhe auditimit, sikurse që ka pasur më pak ankesa të operatorëve.
Si sfidë, Agim Salihu, zyrtar i projektit të USAID, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, e ka paraqitur menaxhimin e kontratave, realizimin e planit të prokurimit, si dhe theksoi se duhet të punohet më shumë në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse’ (TEAM), është projekt pesëvjeçar i financuar nga USAID që ka filluar me 11 janar 2017 dhe është planifikuar të përfundojë në janar 2022. Projekti është i dizajnuar që të përmirësojë transparencën, efikasitetin, llogaridhënjen dhe mbikëqyrjen e prokurimit duke ofruar asistencë të plotë në të gjitha 38 komunat e Kosovës, me theks të veçantë në pesë komunat që janë në fokus të projektit përmes mentorimit, trajnimit dhe stërvitjes për të përmirësuar llogaridhënien për fondet dhe shpenzimet publike.