Situatë alarmante e ka quajtur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni mënyrën e ushqimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Quni deklaroi se kjo po ndodhë si shkak i keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qeverisë aktuale.
Reklamë
ADVERTISEMENT
Në një konferencë për media, Quni tha se ushtarët po përballen me rrezikun real nga helmimi për shkak të kushteve sanitare.
“Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim, është një çështje shëndeti, sigurie e gatishmërie operative. Ushtarët tanë tani përballen me rrezikun real të helmimit nga ushqimi, dhe infeksioneve për shkak të kushteve sanitare dhe shërbimeve të paqëndrueshme ushqimore”, tha Quni në një konferencë për media.
Ai përmendi faktin që komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari ka paralajmëruar ndaljen e të gjitha aktiviteteve si shkak i kësaj krize.
Quni tha se LDK-ja ka një plan të qartë për ta zgjidhur këtë situatë, derisa potencoi se nën drejtimin e tyre do të aplikonin standardet ndërkombëtare për kushtet dhe ushqimin e ushtarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Armend Zemaj nga LDK tha se janë mbledhur votat e mjaftueshme për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.
Ndryshe, sot presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport nga komandanti i FSK-së, mbi situatën që po diskutohet.
Ajo po ashtu ka ftuar në takim komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Lajmin e ka konfirmuar për teve1.info, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.