Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme do ta caktojë datën e votimit të tri projektligjeve për transformimin e FSK-së. Burimet e “Zërit” bëjnë të ditur se ushtria e Kosovës do të votohet në Kuvend më 14 dhjetor të këtij viti. Ditë më parë gazeta ka raportuar se votimi i ushtrisë do të bëhet në gjysmën e parë të këtij muaji (dhjetor), shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Votimi në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës do të bëhet në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”.
Para se të ndodhë votimi Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme, më 3 dhjetor, do ta caktojë datën e seancës, e cila sipas këtyre burimeve do të jetë të premten e 14 dhjetorit.
Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se ushtria e Kosovës do të votohet gjatë gjysmës së parë të këtij muaji, ndonëse fillimisht ishte menduar që votimi të ndodhë më 6 ose më 13 dhjetor, përderisa grupet parlamentare tashmë janë dakorduar që një votim i tillë të ndodhë më 14 dhjetor.
Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së premte në takimin e tij me komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, e ka njoftuar këtë lidhur me procedurën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Veseli me këtë rast ia ka bërë të ditur komandantit të ri të KFOR-it hapat përfundimtarë që do t’i ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. “Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, ka thënë ndër të tjera Veseli.
53 milionë euro për ushtrinë në vitin 2019
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa gjatë ditës së djeshme me vota unanime ka miratuar projektligjet për FSK-në, me ç’rast në këtë takim u tha se ushtria e Kosovës për vitin e ardhshëm do t’i ketë 53 milionë euro buxhet.
Kreu i këtij Komisioni, Lumir Abdixhiku, ka thënë se tri projektligjet të cilat i kanë shqyrtuar në Komision nuk kanë kosto të shpenzimeve. Ai theksoi se 53 milionë euro janë të përcaktuara për vitin e ardhshëm t’i ketë kjo Forcë e që sipas tij janë pak. “Kosova shpenzon vetëm 0,7% të brutoproduktit për mbrojtje. Ushtria e Kosovës këtë vit do t’i ketë buxhet 53 milionë euro, në vitin 2020 57 milionë euro dhe në vitin 2021 62 milionë euro”, ka thënë Abdixhiku.
Kurse deputetja Safete Hadërgjonaj, anëtare e këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, ka thënë se buxheti nuk është problem për këtë Forcë. Sipas saj, më problematike është transformimi i kësaj Force në ushtri dhe marrja e kompetencave të reja. “Ne si Kuvend kemi të drejtë të miratojmë kërkesa, të cilat vijnë për të ndryshuar ligjin. Ne e kemi problemin që ta formojmë ushtrinë”, ka thënë ajo
AAK: Nuk ka pengesa për formimin e ushtrisë
Ndërsa deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj për “Zërin” ka thënë që në gjysmën e parë të dhjetorit do të procedohen në Kuvendin e Kosovës ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri. “Seanca ku do të procedohen tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri do të jetë në gjysmë e parë të dhjetorit. As nuk diskutohet se a do të kalojë ose jo, sepse të gjitha partitë janë unitare t’i votojnë këto tri ligje”, ka thënë ai.
Ndërsa i pyetur se nëse mund të dalë ndonjë pengesë për këtë proces, Selmanaj ka thënë që përderisa partitë politike janë unitare për ushtrinë e Kosovës nuk mund të ketë pengesa. “Nuk shoh asnjë rrezik për këtë çështje. Mund të ketë dallim për çështje të tjera, por jo sa i përket kësaj. Në këto rrethana kjo formë e transformimit të FSK-së është forma më e mirë”, ka thënë ndër të tjera deputeti i AAK-së.
LVV: Kosova ka nevojë për ushtri
Kurse deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi, formimin e ushtrisë së Kosovës e sheh si nevojë thelbësore për një shtet demokratike. Për këtë ai ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje e mbështet këtë transformim të FSK-së. “Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Forma e krijimit të saj është e rëndësishme, por më e rëndësishme se ajo është përmbajtja e saj. Kosovës i duhet ushtria siç i duhet secilit shtet në Ballkan, pasi nuk ka mundësi të ekzistojë një shtet siç është Kosova e rrethuar me pjesën më të madhe të kufirit me një shtet armik siç është Serbia pa ushtrinë e saj”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.
Ai po ashtu është shprehur optimist se ligjet për transformimin e FSK-së pas disa ditësh do të kalojnë në Kuvendin e Kosovës. “Me rëndësi është që ushtria po bëhet, po bëhet me përkrahjen e të gjithë deputetëve shqiptarë edhe të minoriteteve tjera përveç serbëve. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi në përkrahje të plotë të këtij procesi dhe shpresojmë që brenda pak ditëve, pra në pjesën e parë të dhjetorit do të kalojnë në Kuvendin e Kosovës dhe do të fillojë procedura e bërjes së ushtrisë së mirëfilltë”, ka thënë ndër të tjera Kurteshi.
Baraliu: Ushtria e Kosovës ka karakter mbrojtës e jo sulmues
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu për “Zërin” ka theksuar se është zgjedhur forma e vetme e mundshme për transformimin e FSK-së në ushtri, mirëpo duhet të punohet shumë në formimin e plotë të ushtrisë.
Baraliu po ashtu ka theksuar se përderisa shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pro këtij transformimi, atëherë askush nuk do të mundë ta pengojë këtë transformim. “Jo, nuk ka pengesa për këtë proces, sepse tashmë ky proces është në fazën përfundimtare. Pra pritet të kalojë për votim në fazën e dytë në Kuvendin e Kosovës. Askush nuk ka të drejtë që një shteti sovran e të pavarur t’i përzihet për diçka që është çështje ekskluzivisht e brendshme e Kosovës dhe e institucioneve të saj. Transformimi nuk rrezikon askënd, nuk dëmton e as nuk kërcënon askënd”, ka thënë Baraliu.
Ai po ashtu ka theksuar se ushtria e Kosovës ka karakter mbrojtës e jo sulmues. “Secili do të duhej ta kishte të qartë se nuk ka shtet pa ushtri. Ushtria jonë nuk po bëhet për të luftuar, sepse doktrina e ushtrisë që po formohet është doktrinë defensive, pra vetëm për qëllime mbrojtëse të sigurisë së qytetarëve dhe assesi nuk ka mision të jashtëm ofensivë siç e kanë ushtritë e disa shteteve tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky është rasti kur Kosova duhet të sillet si shtet serioz dhe të vendosë në të mirë të qytetarëve për sigurinë e tyre./ZËRI