Revista Rock and Ice, e cila është e dedikuar për alpinizmin, i ka kushtuar një artikull të posaçëm alpinistes Uta Ibrahimi. Në artikullin e publikuar thuhet se ajo është shqiptarja e parë nga Kosova që është ngjitur në majën e Everestit dhe tash ka një projekt të ri: Ajo do të tentojë të ngjitet në majën e katërt më të lartë në botë – Lhotse përmes një variacioni të rrugës Jerzy Kukuczka. Për të, ndërmarrja e njërës prej rrugëve më të vështira në Himalaje do të jetë një mundësi jetësore.
Ajo kishte planifikuar të pushonte në pranverë dhe të angazhohej për grumbullimin e fondeve për ekspeditat e të ardhmes. Mirëpo, një ftesë personale nga Hong Sung Taek – një alpinist jugkorean dhe eksplorues i natyrës – e kishte bindur Utën, pasi që ajo nuk do ta humbte një shans për ta marrë këtë rrugëtim me një njeri me përvojë si ai (kjo do të jetë përpjekja e gjashtë e tij për t’u ngjitur kah ana jugore. Në vitin 2017, ai ishte kthyer 200 metra larg majës).
Alpinistja jonë është ngjitur në Lhotse – në malin e katërt më të lartë në botë në 8.516 metra – në vitin 2018, si pjesë e objektivit të saj për t’u ngjitur në 14 majat më të larta në botë brenda shtatë vitesh (brenda dy vitesh është ngjitur në katër prej tyre).
Ana jugore e Lhotse i ka heshtur alpinistët e njohur, si Kukuczka, Reinhold Messner, Riccardo Cassin, Cristof Profit e shumë të tjerë. Vetëm dy ekipe janë ngjitur me sukses në pjesën jugore: Një ekspeditë ruse 18-anëtarëshe në vitin 1990 dhe një ekip japonez i udhëhequr nga Osamu Tanabe në vitin 2006. Ekipi i Tanabes për pak sa nuk e kishte përfunduar edhe ngjitjen e parë dimërore në këtë maje, mirëpo ishte kthyer vetëm 41 metra larg kreut.
Vështirësia e rrugës qëndron në murin prej akulli dhe shkëmbinjsh, të lartë 3.300 metra, i cili në disa pjesë është thuajse krejtësisht vertikal. Kësaj i shtohet edhe moti i stuhishëm, rreziku nga ortekët dhe rënia e gurëve.
Ana jugore e Lhotse (Foto: Instagram/uta_ibrahimi8000)
Më tej revista e përshkruan takimin me Utën në Kolorado (ku ndodhej për t’u stërvitur për ngjitje në akull, ngjitje të kombinuar dhe përgatitje maksimale për lartësi të mëdha, duke qenë se Prishtina është vetëm 600 metra lartësi mbidetare) – për të biseduar me të dhe për të mësuar më shumë rreth ekspeditës.
“Një ditë tipikë përbëhet nga vrapimi i mëngjesit, gjashtë orë ngjitje në akull dhe dy orë ushtrime me pesha në mbrëmje”, shkruan Rock and Ice për Utën duke shtuar se ajo ishte e këndshme gjatë bisedës.
“Nga tokat e rrafshëta të vendlindjes së saj deri në majat e botës, Ibrahimi po merr sfida dramatike për vetveten dhe vendin e saj”, thuhet më tej.
Kosova së fundmi e ka festuar përvjetorin e 11-të më 17 shkurt. Popullata e saj është shumë e re – 70 për qind e banorëve janë nën moshën 35 vjeçare. Çfarë do të thotë për një vend aq të ri që të ka ty që po i bën këto arritje heroike në male?
“Kur u nisa për t’u ngjitur në Everest, trajneri dhe mbështetësi im, Xhimi Begeja, më tha: ‘Po e bën një ekspeditë që nuk është më vetëm e jotja, do të jetë dicka shumë, shumë më e madhe’. Po, po arrij majat 8.000 metërshe, është një projekt i madh, por jo edhe aq, aq i madh, sepse ka shumë njerëz që tashmë e kanë arritur. Por, duke qenë nga një vend i vogël, pa shumë përvojë në alpinizëm, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mua, kjo është për vendin tim”.
“Në vitin 2016, kur shkova në zyrën për të marrë leje për t’u ngjitur në Nepal, Kosova nuk gjendej në listën e shteteve të miratuara (askush nuk është ngjitur këtu më parë). Kjo ishte hera e parë kur flamuri i Kosovës ishte në majën e botës”.
“Në Kosovë nuk kemi shumë shembuj për të ndjekur, sidomos në alpinizëm. Më është dashur të përballem me shumë sfida duke qenë femër, në veçanti në alpinizëm. Ka barriera, një mendim se “malet nuk janë për femra” dhe është vështirë të grumbullosh fonde. Më kanë thënë: ‘Pse të të ndihmoj për ta financuar hobin tënd?”.
“Fatmirësisht, u takova me Xhimi Begejën, i cili ka qenë pjesë e ekipit të parë shqiptar në Everest dhe ka dashur të organizojë një ekspeditë me femra nga Kosova dhe Shqipëria. Përfunduam duke u ngjitur në vitin 2007 dhe ishim ekipi i parë nga Kosova që e bënte këtë”.
“Prandaj, përpiqem t’i frymëzoj femrat tjera, jo vetëm që të bëhen alpiniste, por të shkojnë drejt qëllimeve të tyre. Së fundmi jam emëruar nga OKB Kampione për Zhvillimin e Objektivave të Qëndrueshëm, në mënyrë që të vazhdoj punën e mëtutjeshme për barazinë gjinore dhe çështjet ambientale në Ballkan dhe ta shpërndaj këtë mision sa më shumë”.
Po e dyfishon ngjitjen në Lhotse – për herë të parë u ngjite në vitin 2018. Pse do ta bësh përsëri?
Në nëntor të vitit 2018, u ngjita në AmaDablam (6.812 metra). Si pjesë e asaj ngjitjeje, për aklimatizim u ngjita në Island Peak që është 6.300 metra dhe është përballë fytyrës së Lhotse. Kaluam rreth 30 minuta atje në maje duke bërë shumë fotografi në pjesën jugore.
“Flisnim për të, e diskutuam se sa vështirë është. Thash: ‘Uau, është një fytyrë e mrekullueshme’. POr, asnjëherë nuk kam menduar se do të kthehesha dhe do të ngjitesha prapë, është shumë më lart sesa është niveli im”.
“Kur Hong më kontaktoi (më herët gjatë këtij viti), më tha: ‘Do të dëshironim të jesh në ekipin tonë’. Thash: ‘Hëm, ndoshta ky është një shans i mirë për mua që të kaloj nga një nivel në një tjetër. Sepse ky është një nivel krejtësisht tjetër”.
Nuk të jepet shpesh një mundësi e këtillë që të ngjitesh me njerëz që kanë shumë përvojë – si Jorge (Egocheaga), i cili është ngjitur në të gjitha majat 8.000 metërshe dhe Luo Jing, një femër kinez, e cila në vitin e kaluar përfundoi ngjitjen në të 14 majat 8.000 metërshe. Si edhe Hong, i cili ka shumë përvojë”.
“Në një grup me vetëm nëntë alpinistë , duhet të bëjmë gjithçka, të punojmë në litarin fiksues, t’i bartim tendat tona, ta bëjmë ushqimin, do të jetë vështirë, por do të jetë një nivel tjetër, diçka që vërtet kam dashur ta bëj që nga fillimi, por nuk i kam pasur lidhjet (derisa fillova të ngjitesha në majat 8.000 metërshe”.
A mund të flasësh për vështirësitë teknike të kësaj rruge?
“Rruga Kukuczka nuk është ngjitur kurrë më parë dhe konsiderohet si një prej rrugëve më të vështira në Himalaje. Sidomos segmenti i fundit, 300-400 metra ngjitesh vetëm vertikalisht. Është po ashtu me shkëmbinj, gjë që e bën shumë më të komplikuar, sepse është ngjitje e kombinuar”.
“Rreziku nga orteku është shumë i lartë, po ashtu edhe nga rënia e gurëve. Të gjithë njerëzit që kanë vdekur (në këtë rrugë), kanë vdekur ose nga orteku ose nga rënia e gurëve. Herën e fundit që Hong e provoi këtë rrugë, ai për pak sa nuk e humbi jetën për shkak të një orteku”.
“Për t’u ngjitur në maje, na duhet një dritare e mirë, mot i mirë për pesë ditë. Duhet të jemi shumë me fat për të pasur pesë ditë rresht mot të mirë”.
Ekspedita drejt ngjitjes në anën jugore të Lhotse do të fillojë gjatë këtij muaji dhe do të zgjasë deri në muajin maj. Të rejat do të publikohen në faqen e alpinistit jugkorean, Hong Sung Taek.
Lhotse është mali i katërt më i lartë në botë (8.516 metra), pas Mount Everest, K2 dhe Kangchenjunga. Duke qenë një pjesë e masivit të Everestit, Lhotse lidhet me majën e fundit përmes qafës jugore. Në gjuhën tibetiane, kuptimi i Lhotse është “maja jugore”. Ky mal ndodhet në kufi ndërmjet Tibetit të Kinës dhe regjionit Khumbu të Nepalit. /Telegrafi/