Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Kosova deri tash ka arritur marrëveshje për gati dy milionë doza të vaksinave anti-COVID, teksa ka njoftuar se të parat do të vijnë në muajin shkurt.
Në një konferencë për media të mërkurën, Hoti ka thënë se 535 mijë vaksina janë konkretizuar nga marrëveshje me prodhuesin “Pfizer”, 600 mijë tjera me Austrinë, dhe me programin COVAX rreth 720 mijë, shkruan “Zeri.info”.
Sipas tij, stafi shëndetësor dhe personat mbi moshën 65-vjeçare do të jenë të parët që do të vaksinohen. Ka paralajmëruar se brenda dite do të vaksinohen rreth 20 mijë persona.
Vaksinat do të jenë falas për qytetarët.
Derisa dihet se kontigjenti i parë i këtyre vaksinave do të arrijë në muajin e ardhshëm në vendin tonë, instuticionet më të larta të sportit në vendin tonë do të mundohen që një pjesë e tyre të ndahet edhe për sportistët.
“Zeri.info” ka kontaktuar me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihun, të cilët janë optimist për ndarjen e një pjese të vaksinave edhe për sportistët.
Nga ana tjetër, analisti dhe ish-futbollisti Erdin Hashani mendon se vaksinimi i sportistëve duhet të jetë i domosdoshëm në vendin tonë.
Hasani: Dhënia e vaksinave është prioritet për sportistët elitarë
I pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka thënë se vaksinat e siguruara nga kompania “Phizer” do të ndahen edhe për sportistët.
Image
Ai ka veçuar sidomos sportistët elitarë, derisa thotë se për këtë çështje do t’i adresohet ministres në detyrë të MKRS-së, Vlora Dumoshit.
“Besoj se dhënia e vaksinave duhet të jetë prioritet për sportistët elitarë, në veçanti për ata që do të përfaqësojnë vendin në garat eliminatore për normë olimpike dhe atyre që marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Por, edhe për ata që marrin pjesë në Kampionate Evropiane apo Botërore”, ka deklaruar Besim Hasani të mërkurën për “Zeri.info”.
“Do të bisedoj edhe me ministren Vlora Dumoshi që së bashku t’iu drejtohemi organeve kompetente”, shtoi ai.
“Do të kërkojmë vaksina për futbollistët tanë”
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka shprehur optimizëm në lidhje me çështjen e vaksinave.
Në një prononcim për “Zeri.info”, njeriu i dytë në FFK thotë se instuticioni ku ai punon do të kërkojë vaksina për futbollistët e përfaqësueseve si dhe për klubet.
Image
“Nuk kemi biseduar ende, por do të kërkojmë vaksina për futbollistët e përfaqësueseve si dhe për klubet tona, pasi që ju e dini se e kemi obligative t’i përfundojmë garat para afatit të caktuar nga UEFA, që është më 31 maj”, thotë Eroll Salihu.
Hashani thotë se vaksinat për sportistët duhet të jenë të domosdoshme
Ish-futbollisti dhe njohësi i futbollit kosovar, Erdin Hashani fillimisht mendon se prioritet për vaksinim ndaj COVID-19 duhet të kenë punonjësit e shëndetësisë dhe të sigurisë, e më pas sportistët.
Sipas tij, sportistët duhet me deomos të vaksinohen pasi ata po i thyejnë barrierat te shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Duke e parë se sa rëndësi i kanë jep qeveritë tona sportit dhe sportistëve, nuk besoj që do të vaksinohen sportistët. Normal që primare duhet të jetë shëndetësia dhe siguria, por pas tyre mendoj që duhet me qenë sportistët”, ka deklaruar fillimisht Erdin Hashani, duke vazhduar:
Image
“E pamë se si u eliminuam nga garat evropiane ku klubet kosovare kishin për të luajtur. Duhet t’i japim më shumë rëndësi sportit sepse është i vetmi për momentin te ne që po i thyen barrierat te ato shtete që nuk na kanë njohur. Sportistët tanë po e bëjnë këtë dhe askush tjetër”.
Megjithatë, për vaksinimin e sportistëve, Hashani që tani drejton skuadrën e Vjosës, nuk është shumë optimist.
“Mendoj se është e domosdoshme një gjë e tillë, por a do të realizohet, mbetet të shihet edhe pse të them të drejtën, nuk jam shumë optimist”, përfundoi të mërkurën për “Zeri.info” Erdin Hashani. /Zeri.info