Vaksinat për COVID-19 pritet që së shpejti të arrijnë te qytetarët, por ky proces pritet të shoqërohet edhe me një bum të dezinformatave në lidhje me këtë vaksinë, që mund të dëmtojnë besimin e publikut dhe përpjekjet për të ndaluar përhapjen e coronavirusit.
Qeveritë kanë një rol të veçantë në luftën kundër keqinformimit. Edhe mediat sociale kanë rolin e tyre, por deri më tani, ato nuk kanë arritur të parandalojnë përhapjen e teorive të çuditshme të konspiracionit anti-vaksinë, shkruajnë mediat botërore.
‘Pandemia paralele’
Ndërsa një numër i vaksinave të mundshme kundër COVID-19 janë në horizont, ka shqetësime në rritje se keqinformimi në internet mund të pengojë disa njerëz që të imunizohen, thekson BBC.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se bota jo vetëm që po lufton kundër një pandemie, por edhe me një “infodemi” në të cilën laramania e madhe e informacioneve, disa prej të cilave janë false, ua vështirëson njerëzve të marrin vendime për shëndetin e tyre.
Një pjesë e problemit, sipas BBC-së, është se informacioni në lidhje me pandeminë shfaqet i fragmentarizuar dhe i pandërlidhur, ndërsa shkencëtarët po bëjnë zbulime të reja në lidhje me coronavirusin dhe mënyrën e trajtimit më të mirë të tij. Kjo, sipas hulumtuesve, krijon hapësirë për lulëzimin e dezinformatave.
Megjithëse mungesa e vullnetit për t’u vaksinuar ka qenë gjithmonë problem, ekspertët tani janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë dezinformimi në synimin e njerëzve për të marrë vaksinën e coronavirusit, thekson BBC.
Sipas këtij raporti, në një sondazh në Mbretërinë e Bashkuar, 54 për qind e të anketuarve patën deklaruar më parë se do të vaksinoheshin pa dyshim, por ky numër u zvogëlua me 6 për qind, pasi u shfaqën dhe u publikuan pretendime të pasakta në lidhje me sigurinë e vaksinave.
OBSH-ja sugjeron që për zbulimin e informacionit të pasaktë në internet, duhet vlerësuar burimi, të lexohet më shumë sesa një titull sensacional, të identifikohet autori për të parë nëse është një person real dhe sa i besueshëm është, të kontrollohet nëse informacioni është i përditësuar, dhe nëse faktet mbështesin pretendimet.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Francesco Rocca, ngriti alarmin se lajmet e rreme rreth vaksinave COVID-19 po shndërrohen në një “pandemi të dytë” dhe se qeveritë dhe institucionet duhet të fillojnë të ndërtojnë besimin në komunitet për vaksinim, dhe kjo sipas tij vlen për të gjithë botën.
Ai i tha Shoqatës së Korrespodentëve të Kombeve të Bashkuara në një konferencë virtuale të hënën, më 30 nëntor, se për të fituar luftën kundër pandemisë së COVID-19, është e nevojshme të “fitohet pandemia paralele e mosbesimit”.
Roca tha se ka “ngurrim në rritje rreth vaksinave në përgjithësi, dhe rreth vaksinave COVID-19 në veçanti”, duke theksuar se një studim i fundit nga Universiteti Johns Hopkins në 67 vende, zbuloi se aprovimi i marrjes së vaksinave kishte rënë ndjeshëm në shumicën e vendeve nga korriku deri në tetor të këtij viti.
Në një të katërtën e vendeve, tha Roca, studimi zbuloi se shkalla e pranimit të vaksinës kundër coronavirusit është afër ose nën 50 për qind, ndërsa ajo ra nga 70 në 50 për qind në Japoni dhe nga 51 në 38 për qind në Francë.
‘Si një tumor’
Vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton coronavirusi, po përballen me një fushatë të fortë dezinformimi në internet, ndërsa zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se është thelbësore që një numër i mjaftueshëm i njerëzve të imunizohen për të ndaluar përhapjen e coronavirusit, thuhet në një raport të televizionit NBC.
Sipas këtij televizioni, që thirret në vlerësimet e ekspertëve, ende nuk ka një përqindje të saktë të njerëzve që duhet të vaksinohen për të ndaluar përhapjen e mëtejme të virusit, megjithëse ata presin që ajo të jetë së paku 60 për qind e popullsisë.
Një studim i YuoGov në gusht të këtij viti, tregon se vetëm 42 për qind e njerëzve në Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën pozitivisht pyetjes nëse do të vaksinoheshin.
Në një artikull në revistën Nature, hulumtuesit zbuluan se lëvizja anti-vaksinë ishte kryesisht përgjegjëse për një disponim të tillë.
Grupet kundër vaksinave në internet kanë më pak anëtarë sesa grupet e vaksinave, por ka më shumë grupe të tilla me mesazhe më të larmishme dhe emocionale.
Hulumtuesit kanë ardhur në përfundim se këto grupe janë dukshëm më të mirë në dërgimin e mesazheve jashtë këtyre komuniteteve, që do të thotë se mund të arrijnë te më shumë njerëz.
Nga ana tjetër, thekson NBC, ndërsa rrjeti social Facebook kohët e fundit ndaloi disa nga lajmet më të bujshme me mesazhe me ndikim anti-vaksinë që transmetuan dezinformata te miliona njerëz, studimi i ri tregon se rreziku më i madh për besimin e publikut te vaksinat COVID-19 vjen nga grupet në Facebook që kanë dërguar mesazhe kundër vaksinave në muajt e fundit.
Një ekip studiuesish, të cilët shkruan një artikull për Nature, në një studim të ri tregojnë se anëtarët e grupeve që nuk kanë asnjë lidhje me vaksinat, të tilla si adhuruesit e kafshëve shtëpiake, prindërit e fëmijëve të shkollës, yoga apo adhuruesit e ushqimit, janë gjithnjë e më të lidhur me lëvizjen anti-vaksinuese.
Një studim tjetër zbuloi se teoritë e konspiracionit se vaksina COVID-19 ishte një mbulesë për të vendosur forma të ndryshme të kontrollit të shtetit, filantropëve dhe madje Satanit mbi popullsinë, kishin një jehonë të mirë midis mbështetësve të liridashësve, lëvizjes së New Age, QAnon dhe grupeve të ndryshme anti-qeveritare.
“Kjo është si një tumor që përhapet”, tha fizikanti Neil Johnson nga Universiteti George Washington, i cili studion ekstremizmin në internet dhe punoi në këtë artikull për Nature.
‘Teori bizare’
Me ardhjen e vaksinave kundër coronavirusit vjen edhe dezinformimi rreth tyre, për më tepër, ato janë tashmë të përhapura, shkruan The Washington Post në një editorial.
Një tekst me teori konspirative në lidhje me vaksinat e reja të ushqimit bën akuza të çuditshme në lidhje me “riprogramimin” e ADN-së, ndërsa një tjetër pretendon se jo vetëm që marrësi i vaksinës do të etiketohet si bagëti, por nanopjesëzat do të injektohen për ta bërë atë një “antenë perfekt për frekuenca 5G “.
E treta përsërit narrativën e pabazuar që nga fillimi i pandemisë se Bill Gates e ka krijuar coronavirusin në mënyrë që të impononte vaksinimin e detyrueshëm.
E treta përsërit narrativën e pabazuar që nga fillimi i pandemisë se Bill Gates e ka krijuar coronavirusin në mënyrë që të impononte vaksinimin e detyrueshëm.
Lëvizja anti-vaksinore mësoi se si të përhapte mesazhet e saj në internet shumë kohë para se coronavirusi të godiste botën, thekson The Washington Post, duke shtuar se lufta e dezinformimit, e cila filloi edhe para se të shfaqeshin vaksinat shpëtuese, duhet të plotësohej me masa parandaluese të mbrojtjes.
Studiuesit e njohin rëndësinë e plotësimit të “deficitit të të dhënave” në mënyrë që t’u japin njerëzve përgjigje të sakta përpara se oportunistët t’i japin gabim, por, siç thekson punimi, kjo duhet të bëhet duke dhënë shpjegime pa i mbingarkuar, sepse pyetjet komplekse mund t’i shtyjnë njerëzit të besojnë më lehtë në përgjigje më të thjeshta, pavarësisht nga vërtetësia e tyre.
Prandaj, The Washington Post thekson në një editorial se qeveria duhet të kuptojë se si të komunikojë më shpesh me qytetarët në lidhje me vaksinat.
Këtë duhet bërë në mënyrë konkrete duke përshtatur mesazhet e saj ndaj keqkuptimeve ekzistuese, si dhe llojeve të ndryshme të audiencës. Dhe në këtë, një partneritet me platformat e internetit mund të jetë thelbësor.
Testi për mediat sociale
Ndërsa vaksinat COVID-19 janë në rrugën e tyre për të arritur këtë muaj, rrjetet sociale do të përballen me provën e tyre më të madhe deri më tani – parandalimin e dezinformimit rreth vaksinave, raporton CNN.
Disa rrjete sociale kanë krijuar tashmë masa të dizajnuara posaçërisht për të ndryshuar dhe luftuar dezinformatat për vaksinat për COVID-19, ndërsa të tjerët ende po konsiderojnë mënyrën më të mirë ose duke u mbështetur në udhëzimet ekzistuese për COVID-19 dhe përmbajtjen lidhur me vaksinat.
Sidoqoftë, sipas televizionit amerikan CNN, përcaktimi i masave është pjesa më e lehtë – por zbatimi shpesh është pjesa ku platformat dështojnë.
Facebook, për shembull, më parë kishte premtuar të merrte masa të ashpra kundër dezinformimit anti-vaksinë, por Instagram, i cili është në pronësi të kompanisë, vazhdoi të shfaqte postime nga llogaritë anti-vaksinë dhe hashtags në kërkimet për fjalën “vaksinë”.
Pavarësisht masave ndaj përmbajtjes së tillë, thekson CNN, Facebook nuk ka arritur të ndalë plotësisht lëvizjen anti-vaksinuese në platformat e saj.
Në nëntor, Facebook largoi një grup të madh privat kushtuar përmbajtjes kundër vaksinave, por shumë grupe të dedikuara për sulmet ndaj vaksinave mbijetuan.
CNN raporton se një kërkim i shpejtë gjeti të paktën disa grupe në Facebook që kundërshtojnë vaksinat, me një numër anëtarësh që variojnë nga disa qindra deri në dhjetëra mijëra përdorues. Të paktën një grup është veçanërisht i përqendruar në vaksinat për COVID-19.
Pavarësisht nga fakti që ekspertët e shëndetit thonë se vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta dhe se reagimet negative janë shumë të rralla, përmbajtja e lajmeve anti-vaksinë ende gjen një audiencë të madhe, thekson CNN.
Organizata jofitimprurëse nga Londra, Qendra për Luftimin e Urrejtjes Digjitale, zbuloi se rrjetet anti-vaksinë kanë rreth 58 milionë njerëz që i ndjekin ato, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Britani të Madhe, Kanada dhe Australi.
Organizata vlerëson se platformat e mediave sociale kanë bërë “minimumin absolut” në luftën kundër keqinformimit.