Për gjashtë muajt e fundit, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar mbi 47 mijë pacientë shkaku i temperaturave.
Megjithëse, në dy muajt e fundit numri i tyre është më i theksuar.
Para kësaj periudhe, në ditë janë trajtuar rreth 270 pacientë lidhur me këtë shkas, ndërsa tani që temperaturat po shënohen shumë të larta, ky numër u rrit në mbi 300, saktësisht nga 311 në 313.
Të paktën, kështu u shpreh për redaksinë e Klankosova.tv, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Ai tha se pacientët që trajtohen janë zakonisht me sëmundje kronike, e që duhet të kenë kujdes në marrjen e barnave dhe të anashkalojnë daljen në diell të hapur gjatë orëve kritike.
Lidhur me temperaturat e larta në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar orarin e punës për gratë shtatzëna, punën në ndërtimtari si dhe për qytetarët me sëmundje kronike.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK) ka dalë disa herë me këshilla dhe rekomandime për qytetarët për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta.