Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se Kosova tani është duke kaluar një situatë të rëndë si pasojë e rritjes së të infektuarve me virusin korona.
Krasniqi, në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve me COVID-19, sistemi shëndetësor pritet të ngarkohet me pacientë të ri.
“Ne jemi dëshmitarë që jemi duke kaluar një situatë të rëndë me pandeminë COVID-19, për sa i përket numrit të madh të infektimeve dhe kjo pritet të rëndojë edhe më shumë sidomos të mbingarkoj sidomos sistemin tonë shëndetësor”.
Tutje, Krasniqi ka deklaruar se mund të rrezikohet në mënyrë serioze shëndeti individual dhe shëndeti kolektiv i popullatës.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm në fazën të cilën po ndodhemi dhe duhet që të bëjmë përpjekje maksimale për parandalimin e infeksionit Covid”, tha ai për GazetaBlic.
Në anën tjetër, kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të hënën se situata epidemiologjike, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, është serioze dhe ka mundësi të përkeqësimit.