Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Jugore, ku në disa zona të Spanjës temperaturat ekstreme kanë arritur deri në 46°C. Franca kontinentale është vendosur pothuajse e tëra nën alarm për shkak të kushteve të rënda klimatike.
Për disa ditë me radhë, temperaturat përvëluese kanë goditur Portugali, Spanjë, Francë, Itali dhe Greqi — një situatë e përkeqësuar edhe nga ndotja me karburante fosile dhe efektet e ndryshimeve klimatike. Autoritetet në këto vende kanë lëshuar paralajmërime shëndetësore, ndërsa zjarrfikësit janë mobilizuar për të parandaluar përhapjen e zjarreve në pyje.
Në Turqi, situata është përkeqësuar ndjeshëm, me mbi 50 mijë persona të evakuuar për shkak të zjarreve të mëdha, sipas autoriteteve të emergjencave.
Edhe Kosova pritet të preket nga kjo valë e nxehtësisë, ku gjatë fundjavës temperaturat do të arrijnë deri në 37°C. Sipas parashikimeve të BBC Weather, nga dita e enjte e tutje vendi do të përjetojë temperatura të larta mes 35 dhe 37°C për të paktën një javë.