Valentina Bunjaku Rexhepi e përkrah dhe e mbështes fuqishëm iniciativën e Grave Aktive të Komunës së Gjilanit për organizimin e protestës kundër dhunës me baza gjinore. E ritheksoj si deputete, nënë e grua, se dhuna është e papranueshme nga kushdo qoftë, burrë, grua etj.
Shumica e grave dhe burrave që problemet i zgjidhin me dialog, paqe, mirëkuptim dhe me rrugë ligjore, duhet të bëhen bashkë në protestë, t’i prijnë protestës dhe t’i thonë: “Jo dhunës ndaj grave”; “Jo dhunës në familje”; “Jo dominimit të askujt”… Jam kundër pabarazisë gjinore, kategorikisht kundër dhunës ndaj grave a burrave, nga kushdo që përdoret kjo metodë jonjerëzore, por edhe jam kundër futjes së krejt burrave në një “thes”, si të këqinj dhe anti-grave, sepse prej tyre ka me shumicë bashkëshortë të mrekullueshëm me familjet dhe gratë e tyre.
Prandaj, i ftoj në këtë protestë të gjithë pa dallim, burra, gra, të rinj e të reja, të kërkojmë më shumë vendosmëri për ta denoncuar dhe luftuar dhunën kudo dhe nga kushdo që shfaqet ajo, me theks tani kundër dhunës së shpeshtuar ndaj grave! Me këtë protestë as nuk duhet të keqkuptohemi në futjen e armiqësive në familje, as në moralizimin e ndonjë akti shëmtie në bashkëshortësi, as krijimin e një përshtypjeje të gabuar se feministe janë më shumë gratë e divorcuara, apo gratë që heqin dorë nga martesa si diçka e tejkaluar dhe paramoderne, por feminist e feministe është çdokush që thërret në barazi gjinore; feminist është edhe burri, edhe gruaja, që lufton për barazi gjinore.
E vetmja gjë e dënuar dhe e papranueshme është përdorimi i dhunës për të zgjidhur konfliktet! Prandaj, ejani në marshin mbarëqytetar të Grave Aktive me 06 shtator 2018 te behemi bashke !!
Tina