Valentina Bunjaku Rexhepi u ka drejtuar një mesazh të veçantë bashkatdhetarëve që jetojnë dhe veprojnë jashtë Kosovës, duke i uruar mirëseardhje në vendlindje dhe duke vlerësuar rolin e tyre të rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë kosovare.
Ajo ka theksuar se mërgata mbetet një pjesë e pandashme e Kosovës dhe një ndër shtyllat më të fuqishme të zhvillimit të vendit.
“Mirë se vini në shtëpinë tuaj. Kosova gjithmonë ju pret me zemër e krahëhapur”, thuhet në mesazhin e saj, ku u ka uruar bashkatdhetarëve ditë të lumtura pranë familjeve, me shëndet, gëzim dhe sa më shumë momente të bukura.
Në reagimin e saj, Bunjaku Rexhepi ka potencuar se kontributi i diasporës nuk duhet të vlerësohet vetëm në periudha zgjedhore, por në vazhdimësi, duke shtuar se vlera e tyre për Kosovën është shumë më e madhe sesa një votë.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që qytetarët të vlerësojnë vetë zhvillimet në vend dhe të mos bien pre e premtimeve politike që, sipas saj, kujtojnë mërgatën vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
“Kosova ka nevojë për ju gjithmonë. Për zërin tuaj, për përvojën tuaj dhe për dashurinë që e mbani për vendin, kudo që jetoni”, ka përfunduar ajo.

