Valentina Bunjaku-Rexhepi ka zyrtarizuar sot rikandidimin e saj për Parlamentin e Republikës së Kosovës, duke e shoqëruar njoftimin me një mesazh falënderimi dhe përkushtimi ndaj qytetarëve.
Ajo theksoi se rruga e saj politike vazhdon me përgjegjësi dhe bashkëpunim, ndërsa simbolikisht rikujtoi numrin e saj në listën e LDK-së, 32 si shenjë uniteti dhe lëvizjeje drejt suksesit të përbashkët.
Statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Me përulësi dhe përgjegjësi, njoftoj rikandidimin tim për Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Ky nuk është thjesht një proces zgjedhor, por vazhdim i një rrugë të nisur me përkushtim dhe besim se qytetarët meritojnë më shumë dinjitet, drejtësi dhe mundësi.
Faleminderit kryetarit të Degës së LDK-së në Gjilan, z. Lutfi Haziri, dhe kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, për mbështetjen dhe besimin.
Faleminderit gjithashtu secilit qytetar që më ka mbështetur, sfiduar dhe motivuar në secilin proces zgjedhor.
Numri im në listën e LDK-së është 32 dhe kjo nuk është rastësi. Ashtu si në shah, ku ka 32 figura dhe fitorja vjen vetëm kur ato lëvizin si një, edhe suksesi ynë vjen vetëm kur bashkohemi, kur besojmë dhe veprojmë së bashku!
Me ju dhe për ju, do të vazhdoj si gjithmonë, pa u ndalur asnjëherë!
Tina.








