Ka filluar me një sallë të vogël restoranti, në vitin 2008 dhe sot numëron 250 punëtorë. Ky është kompleksi turistik “Vali Ranch”, rezultat i vizionit të mërgimtarit Fehmi Fetahi dhe punës së madhe të tij dhe qindra të tjerëve
Për ata që e kanë pasur të njohur terrenin e kodrinave mbi fshatin Përlepnicë të Gjilanit para se aty të vendosej kompleksi “Vali Ranch”, pamja që ka marrë kjo hapësirë ngjan me një ëndërr. Kaq shumë ka ndryshuar faqja e kësaj lagjeje dikur të varfër kodrinore sa që mund ta humbasësh orientimin, nëse nuk e ke përcjellë ndërtimin e këtij kompleksi hap pas hapi.
Investimi i fuqishëm që djaloshi i dikurshëm i lindur në këto kodrina, Fehmi Fetahi ka bërë në vendlindjen e tij, është mbresëlënës dhe, pa e tepruar, një model për të gjithë ata që duan të investojnë në vendin e tyre të prejardhjes.
Ka filluar me një sallë të vogël restoranti që punonte vetëm verës dhe me një stallë kuajsh, në vitin 2008, thotë për albinfo.ch kryemenaxherja e kompleksit, Arta Jakupi. Sot, kur kanë kaluar 11 vjet nga hapja e kësaj qendre atëbotë ende modeste turistike, të gjithë parametrat e zhvillimit të saj tregojnë vlera të shumëfishuara në krahasim me fillimin.
250 familje ushqehen nga puna në “Vali Ranch”
Fillimisht qe ndërtuar rruga enkas që çon në resort nga fshati Përlepnicë, pastaj, me kalimin e viteve, ngritën edhe objekte e salla tjera, më të mëdha dhe me veprimtari tjera brenda resortit, si restoranti Steak House, salla e dasmave ndërsa u zgjerua edhe sipërfaqja në dispozicion e qendrës. Sot kompleksi shtrihet në 15 hektarë ndërsa vetëm ndërtimet, si hoteli, sallat e ndryshme, stallat e kuajve, të lamave, minigolfi etj., zënë afër pesë hektarë, rrëfen Arta Jakupi.
Sigurisht, ajo që ka më së shumti rëndësi në këtë rritë, është shtimi i madh i numrit të të punësuarve. “Sot, gjatë sezonit veror ky numër arrin në 250.
Ka 5-6 vite që resorti nuk mbyllet as gjatë sezonit të dimrit, thotë Arta Jakupi, duke vënë në dukje gjallërinë që ky kompleks ia falë jo vetëm fshatit ku është vendosur por edhe komunës së Gjilanit e më gjerë. Të mbash me punë – që në kushtet kosovare do të thotë t`i mbash me bukë – mbi 200 familje, është në vete një vepër e madhe humanitare dhe një investim në mirëqenien e popullatës së regjionit, para së gjithash. Me këto shifra, Vali Ranch është aktualisht ndër punëdhënësit më të mëdhenj privatë në Gjilan e më gjerë. Për këtë shkak, nuk ka munguar as shprehja e mirënjohjes nga autoritetet komunale për themeluesin dhe pronarin, Fehmi Fetahi.
“Vali Ranch”, kulisa ideale për dasmat dhe çiftet martesore
Gjatë sezonit të ngrohtë, gjegjësisht nga maji deri në shtator, Vali Ranch bëhet sinonim i vendit të përkryer për organizimin e dasmave. Ke bërë një dasmë të përsosur po e organizove atë në ambientet kaq elegante të kompleksit “Vali Ranch”, thuhet gjithandej.
I ngritur mbi kodrinat tashmë të përshkuara me rrugë automobilistike, nga ky kompleks syri të sheh një hapësirë të madhe, gjithë Anamoravën, të kurorëzuar në horizont me majen e Lubetenit. Një panoramë kjo që e lakmojnë dhe vijnë ta shikojnë e shijojnë, njerëz jo vetëm të regjionit.
Organizimi i ahengjeve familjare, kryesisht dasmave, në “Vali Ranch” ka filluar zyrtarisht në vitin 2015. Rreth 70 për qind e atyre që zgjedhin këtë resor për të bërë dasmën, janë nga Zvicra dhe kjo flet sigurisht për cilësinë e shërbimit e të ushqimeve që ofrohet këtu, cilësi e krahasueshme me atë të lokaleve të avancuara në Zvicër ose gjetiu në perëndim.
Por çiftet e posamartuara ose ato që do të martohen së shpejti, zgjedhin “Vali Ranch” jo vetëm për të bërë dasmën. Ato vijnë këtu edhe thjesht për të bërë një set fotografishë me veshje dhe stoli të martesës. Ambientet impozante të ngritura nga Fehmi Fetahi dhe natyra e bukur që i rrethon ato, janë kulisa ideale për fotografitë që do të ruhen për gjithë jetën.
Ranchi që i dha emrin kompleksit
Por nuk janë vetëm këto që këtë kompleks e bëjnë të paanashkalueshëm kur bëhet fjalë për turizmin në Kosovë. Është edhe ranchi, apo në radhë të parë ranchi, ai që i jep vulën këtij ambienti të bukur dhe të fisnikëruar nga dora e njeriut. Prandaj pjesa “Ranch” e emërtimit që ka resorti “Vali Ranch”, dëshmohet me stallat e pajisura me standarde perëndimore, ku sheh kuaj të racave më fisnike, elegantë e të trajnuar me nivel. Janë 24 kuaj në shërbim të meraklinjve të kalërimit, të cilët, kundrejt një pagese, mund të bëjnë xhiro nëpër arealin e resortit ndërsa përveç në fundjavë, ata mund të bëjnë edhe xhiro më të gjata, thotë bashkëbiseduesja jonë. Kuajt janë sjellë nga Zvicra ndërsa edhe trajnuesit e tyre, fillimisht kanë qenë zviceranë, të cilët pastaj mjeshtërinë e tyre ia kanë përcjellë stafit vendor.
Ideja për ranchin ka qenë në fakt hapi i parë i cili ka bërë të mundur ngritjen e këtij resorti të madh hotelier turistik në bregoret e Përlepnicës. Idenë e kishte pasur pronari i “Vali Ranch”, Fehmi Fetahi, i cili thotë se gjithmonë ka pasur pasion kuajt dhe kalërimin. Njerëz tjerë që kanë po këtë pasion, ia dijnë sot vlerën këtij investimi, prandaj nuk mungojnë asnjëherë të vizitojnë Vali Ranch-in.
Këtu, ngjitur me stallën e kuajve është edhe sheshi për kuajt e vegjël “Pony”, të cilët i kalërojnë fëmijët, në shoqëri të të rriturve. Ky është mbase atraksioni më i lakmuar nga më të vegjëlit, të cilët vijnë me prindërit e tyre në Vali Ranch.
Hoteli, i vogël por me standarde të larta
Hoteli, i hapur para në vitin 2014 ka 22 dhoma, është objekti më i ri në kompleksin Vali Ranch. “Është relativisht i vogël, por shumë i frekuentuar dhe kërkesat për dhoma janë në rritje”, thotë Arta… ndërsa salla e konferencave që është vendosur në kuadrin e hotelit, është edhe një vlerë e shtuar për gjithë qendrën. Prejse është hapur hoteli, salla e konferencave është vazhdimisht e prenotuar për të mbajtur organizime të ndryshme të tipit të seminareve, punëtorive ose tubimeve tjera, nga institucione ose organizata joqeveritare, nga e gjithë Kosova.
Në kuadër të hotelit është edhe salla e dasmave “Queen Hill”, ndërsa vitin e kaluar janë hapur edhe dy salla: “Royal Hill Palace” dhe “Rubin”, të dyjat me kapacitete për nga 500 mysafirë
Me hotelin dhe sallën e konferencave “Vali Ranch” është bërë tashmë një pikë me ofertë të kompletuar të turizmit dhe relaksimit, me rëndësi në nivel të Kosovës e më gjerë. Turistët e shumtë që për çdo ditë ia mësyjnë këtij kompleksi dhe ndahen të kënaqur me gjithçka që u ofrohet aty, është dëshmia më e mirë për këtë.
Dasma në “Vali Ranch”, sinonim i dasmës ideale
Organizimi i ahengjeve familjare, kryesisht dasmave, në “Vali Ranch” ka filluar zyrtarisht në vitin 2015. Rreth 70 për qind e atyre që zgjedhin këtë resor për të bërë dasmën, janë nga Zvicra dhe kjo flet sigurisht për cilësinë e shërbimit e të ushqimeve që ofrohet këtu, cilësi e krahasueshme me atë të lokaleve të avancuara në Zvicër ose gjetiu në perëndim.