Valon Zymberi, drejtor në FC Drita ka deklaruar se FC Drita e përkrah kandidaturën e Gramoz Vokrrit për të qenë i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Siç ka theksuar Zymberi, FFK-së i duhen ndryshimet dhe kjo është arsyeja kryesore e një qëndrimi të tillë të FC Drita. Zymberi tha se shumica e ekipeve të Superligës së Kosovës në Futboll e përkrahin Gramoz Vokrrin, të cilit i kanë dhënë mbështetje.
“Mendimi ndryshe është vlerë, ai i kontribuon zhvillimit të futbollit. Ne si klub jemi rreshtuar për këtë kandidaturë, duke patur parasysh rrjedhat tash e disa vite në futbollin kosovar. Ne mendojmë se ka mundur që të bëhet punë më e madhe, që të ketë progres shumë më të madh si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin ngritjes së cilësisë”, ka thënë Valon Zymberi, që ka kërkuar që t’i jepet hapësirë demokracisë dhe që të ketë më shumë kandidat.
Deklaratat e disa klubeve për bojkotim të garave, Zymberi i ka quajtur të paqëndrueshme për Dritën. Ai tha se kandidatura e Vokrrit ka qenë e drejtë dhe beson se padia e Vokrrit do të vlerësohet pozitivisht.