Drita dhe Antwerp do të përballen nesër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:00.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë e dy skuadrave në kuadër të Ligës së Konferencës, pasi në të parën luajtën baras 0-0 në Belgjikë.
Antwerp ka arritur tanimë në Kosovë dhe kanë mbajtur konferencën për shtyp para ndeshjes.
Trajneri holandez Mark Van Bommel ka thënë se shpreson që golin e parë ta arrijnë shpejtë, edhe pse e pranon se nuk do të jetë e lehtë.
“Thjesht duhet të sigurohemi që të kalojmë në raundin tjetër. Si, kjo nuk ka rëndësi. Nuk e di se si do të jetë FC Drita përpara ndeshjes, por shpresojmë që golin e parë ta arrijmë së shpejti”.
“Nuk do të jetë e lehtë. Dje goditëm disa penallti, por nuk ushtruam shtesë. Duhet të sigurohemi që të mos vijë deri këtu”, tha Van Bommel.
Vlen të theksohet se nesër pritet të jetë numër i madh i tifozëve të pranishëm, pasi vetëm në 12 orët e para janë shitur mbi pesë mijë bileta. /Gazeta Olle/