Varg e Vi pas një sërë projektesh kulturore brenda dhe jashtë vendit, me artistë lokalë e ndërkombëtarë, shfaqi projektin e saj të radhës “Stand up for us” në Stamboll të Turqisë, përkatësisht më 3 dhjetor 2022, ora 19:30, në Qendrën Kulturore Küçükçekmece Sefaköy dhe të Arteve Tevfik Beu, në Küçükçekmece. Ky projekt ishte rezultat i thirrjes publike dhe mbështetjes nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), dedikuar projekteve kulturore për diasporën dhe mërgatën shqiptare gjithandej botës. Fillimisht projekti ishte nisur si ide për në Nju Jork të SHBA-së, por terminët për viza ishin mbyllur deri më 2023 dhe pas kufizimeve të shumta financiare pas shpalljes së rezultateve, Varg e Vi në aneks-kontratën e re me MPJD-në, zhvendosi projektin për diasporën shqiptare në Turqi dhe mundësisë fare të lehtë të udhëtimit pa viza.
Hapjen e projektit “Stand up for us” e bëri në gjuhën turke e shqipe, aktori i mirënjohur me origjinë nga Gjilani – familja e të cilit kishte emigruar në Turqi në vitet e ’60-ta të shek. XX, Orhan Kurtuldu. Kurtuldu njëherazi ka qenë edhe një nga aranzhuesit e organizimit dhe krijimit të bashkëpunimit me institucionet kulturore turke dhe me komunitetin shqiptar, në mënyrë që të sigurohet njëri nga teatrot e Stambollit dhe të informohet audienca shqiptare për detajet e aktivitetit, për çka organizata Varg e Vi është tejet mirënjohëse, dhe njëkohësisht krenare, për bashkëpunimin jo vetëm me një nga aktorët më të rëndësishëm shqiptarë në Turqi, Kurtuldun, por edhe me njërin nga aktivistët më të respektuar nga komuniteti shqiptar, nga shoqëria e gjerë turke dhe institucionet e shtetit të Turqisë. Pas njoftimit me idenë dhe konceptin e projektit para komunitetit shqiptar, aktori Kurtuldu e prezantoi Migjen Fazliun, duke e shënuar hapjen e aktivitetit me poezi autoriale në gjuhën shqipe, përmes deklamimit dhe ndarjes së poezive në gjuhën shqipe nën sfondin muzikor, në letra me ngjyra të ndryshme, duke i shkuar secilës familjes shqiptare, diçka nga krijimet poetike në gjuhën shqipe, për të fuqizuar lidhjet e komunitetit shqiptar me letërsinë bashkëkohore shqipe. Pas poezive të Fazliut, u hap Stand up comedy nga aktori Avni Shkodra, ku ndonëse një pjesë e komunitetit shqiptar në Turqi kishte sfida në të kuptuarit e çdo fjale, shprehjeje, ironie, në gjuhën shqipe, nga emigrimi aq i hershëm në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar, dhuroi shumë të qeshura pas humorit të krijuar nga Shkodra, duke lënë mbresa të jashtëzakonshme të publikut.
Pasi publiku pa shfaqjen teatrore, u nis për në hollin e Qendrës “Sefakoy”, për të parë ekspozitën “Lidhja e shkurtër” të Avni Rudakut me kurator Din Azizin, përmes mediumit të kombinuar fotografi-instalacion, duke nxitur diskutime dhe humor mbi diversitetin seksual, në një pjesë të shoqërisë edhe konservatore në disa tema e çështje, siç janë në Turqi, përfshirë edhe komunitetin shqiptar në këtë shtet. Projektin kulturor “Stand up for us” dedikuar diasporës shqiptare në Turqi, e përshëndeti dhe e vlerësoi lart edhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll, znj.Suzan Novobërdaliu, duke bërë apel që nismat e tilla si të Varg e Vi-së, të vazhdojnë edhe më me intensitet në mes të artistëve kosovarë dhe komunitetit shqiptar në Turqi.
Varg e Vi, në aktivitetin e radhës në muajin dhjetor të këtij viti, do ta ketë edhe festivalin më të ri me stand up komedianë të ndryshëm gjithandej Kosovës, dhe jo vetëm, në Teatrin e qytetit në Gjilan, në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport./Radio Star/